Situata e tensionuar gjeopolitike po ndikon gjithnjë e më shumë edhe turizmin në Durrës, një sektor i ndjeshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Në prag të sezonit veror, operatorët turistikë raportojnë një panoramë të përzier, me pritshmëri për vizitorë të rinj, por edhe me anulime rezervimesh dhe ndryshim të profilit të turistëve.
Turoperatorja Arjana Isaku shprehet se, edhe pse Durrësi vijon të tërheqë turistë nga vende të ndryshme, pasiguria ka sjellë stepje te partnerët e huaj. Shumë operatorë kanë anuluar rezervimet, ndërsa tregu izraelit rezulton pothuajse i bllokuar.
Nga ana tjetër, kjo situatë mund të sjellë edhe zhvendosje të flukseve turistike drejt destinacioneve më të sigurta si Shqipëria. Por sipas Isakut, një sfidë tjetër mbetet profili i vizitorëve që po vijnë aktualisht.
Shumë prej tyre janë turistë me buxhet të ulët, që udhëtojnë ekonomikisht dhe shpenzojnë pak në destinacion. Sipas hotelierëve, ata shpesh furnizohen në supermarkete menjëherë pas mbërritjes, duke ulur konsumin në hotele dhe restorante.
Ky fenomen ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë dhe cilësinë e zhvillimit turistik në Durrës. Ndërsa rritja e numrit të vizitorëve mbetet një tregues pozitiv në pamje të parë, sfida reale qëndron te rritja e të ardhurave dhe orientimi drejt një turizmi me vlerë të shtuar më të lartë.
Ky vit e gjen sektorin e turizmit në një moment delikat balancimi mes mundësive dhe rreziqeve, ku zhvillimet globale vijojnë të diktojnë ritmin e një industrie që mbetet thelbësore për ekonominë vendase. (A2 Televizion)