
Gjermania ka njoftuar se do t’i bashkohet një misioni ndërkombëtar për çminimin e Ngushticës së Hormuzit, pasi të përfundojë lufta dhe të arrihet një marrëveshje paqeje mes SHBA-ve dhe Iranit.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes gjermane tha për agjencinë e lajmeve Agence France-Presse se anija e marinës “Fulda”, një mjet për çminimin e minave detare, do të dislokohet “në ditët në vijim” në Mesdhe.
Qëllimi i këtij angazhimi është të japë një “kontribut të rëndësishëm dhe të dukshëm në një koalicion ndërkombëtar që synon të mbrojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, u shpreh ajo.
Zëdhënësja shtoi se anija do të ketë një ekuipazh prej rreth 45 personash, por çdo vendosje reale në Ngushticën e Hormuzit do të ndodhë vetëm pas “përfundimit të qëndrueshëm të armiqësive” dhe pas miratimit të dhomës së ulët të parlamentit gjerman.
Më herët, edhe Turqia kishte deklaruar se është e gatshme të marrë pjesë në një mision të ngjashëm për çminim, nëse lufta përfundon.
(A2 Televizion)