Urimi zemërthyer nga Presheva: Vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i flamurit Kombëtar!

Nga Xhevahir Qardaku
28 Nëntor 2024, 10:41 | Aktualitet

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka valëvitur flamurin kombëtar shqiptar në godinën e bashkisë, pavarësisht se do të gjobitet për këtë nga shteti i Serbisë. Në urimin e saj për ditën e pavarësisë, thotë se është një fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve që gjenden në Serbi nuk u lejohet përdorimi i flamurit kombëtar.

Sipas Sinanit, ky akt paraqet qartë shtypjen sistematike që u bëhet shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga Serbia. 

Sot është dita kur çdo shqiptar, kudo që ndodhet kremton me krenarin Ditën e Flamurit dhe përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ditë na kujton sakrificat, qëndresën dhe ëndrrën shekullore të etërve tanë që ndërtuan themelet e kombit tonë. Këtë vit për herë të parë festa e Flamurit po organizohet në Luginën e Preshevës nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Komuna e Preshevës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar. Edhe pse shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me padrejtësi të thella dhe diskriminim të hapur, ne sot e më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë të bashkuar. Është fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i Flamurit Kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ky akt është një shprehje e qartë e shtypjes sistematike sistematike që synon të zbehë identitetin dhe të drejtat tona legjitime si popull në këto troje”, tha kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos