Veç dëmeve në banesa, të mbjella e bagëti... zjarret e këtij viti kanë dëmtuar edhe “botën e egër” në zonat e mbrojtura. Nga “Lurë-Mali i Dejës” në veri te malësia e Gramshit në qendër dhe veçanërisht Syri i Kaltër e Gërmenja në jug shumë kafshë e shpendë u dogjën nga flakët e zjarrit ndërsa të tjera humbën habitatin ku jetonin.
“Pothuajse i gjithë pellgu i bashkisë Delvinë, përfshirë zonën e Syrit të Kaltër, ka vlera të jashtëzakonshme peizazhi dhe biodiversiteti. Po ashtu, edhe zona të tjera si Puka apo Fushë-Arrëzi, ashtu si edhe malësia e Gramshit, përfaqësojnë pasuri të çmuara natyrore, veçanërisht për gjitarët e mëdhenj”, thotë për A2 CNN Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.
Kafshët e egra që nuk arrijnë të shpëtojnë shpesh ngordhin, dhe trupat e tyre nuk janë thjesht dëme ekologjike... janë burime të mundshme epidemish që mund të kërcënojnë bagëtinë dhe njerëzit.
“Pas zjarreve, duhen kryer patjetër kontrolle veterinare për kashte dhe foragjere që kanë qenë në kontakt me flakët. Këto materiale mund të jenë të ndotura dhe të rrezikshme për shëndetin e bagëtive, duke hapur rrugë edhe për përhapjen e epidemive. Vetëm pas verifikimit nga shërbimi veterinar ato mund të përdoren sërish”, thotë Trajçe.
Me zjarret që i lënë vendin njëri-tjetrit çdo vit, zonat e mbrojtura, të shpallura si thesare kombëtare, rrezikojnë të shndërrohen në kujtime të zbehta, ndërsa bota e egër shqiptare endet mes shpresës dhe zhdukjes. Dhe pyetja që ngrihet është: a do të dimë ta mbrojmë këtë pasuri të rrallë, përpara se flakët ta kthejnë në hi? “Nuk mjafton vetëm reagimi kur zjarri ka shpërthyer. Ne kemi nevojë për parandalim, për edukim, për një përgjegjësi të përbashkët. Sepse nëse nuk e ruajmë sot këtë pasuri të natyrës, nesër nuk do të kemi më asgjë për t’u mbrojtur”, thotë Trajçe.
Pyjet dhe malet e Shqipërisë nuk flasin, por çdo zjarr lë pas një heshtje që na paralajmëron. Shqipëria e egër po kërkon mbrojtje, sepse çdo kafshë, çdo shpend dhe çdo gjelbërim është një histori që nuk duhet të shuhet. Nëse nuk reagojmë sot, nesër do të shohim vetëm kujtime të zbehta të asaj bote që dikur ishte e gjallë dhe e lirë. (A2 Televizion)