Videot intime të Adrian Hilës, gazetari debat me Ninin: Po si u vendoska kamera mbi shtrat?

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 22:57 | Aktualitet

Drejtori i AcroMax, Aldor Nini, është përfshirë në një debat me gazetarin Andrea Danglli gjatë emisionit “Off the Record” në A2 CNN, teksa diskutohej publikimi i videove intime të Adrian Hilës dhe kamerat e vendosura në ambientet ku janë regjistruar pamjet.

Debati nisi pas deklarimeve se Hila i kishte vendosur kamerat për arsye sigurie.

Andrea Danglli: “Ç’është kjo kamerë, zoti Nini, që u instaloka përballë shtratit? Se nuk e kuptoj.”

Nini tha se një person mund të vendosë kamera në ambiente të ndryshme për arsye sigurie dhe se prania e një kamere nuk tregon domosdoshmërisht qëllimin për të cilin është përdorur.

Aldor Nini: “Ai mund të ketë pasur disa kamera, të cilat i ka instaluar në disa vende të ndryshme. Unë nuk kam kamerë në shtrat, por nëse unë dal jashtë, në një hotel, në një vend të rrezikshëm, unë e vendos patjetër edhe kamerën për të parë se çfarë ndodh me gjërat e mia në dhomë.”

Andrea Danglli: "Sigurisht që duhet ta trajtojmë këtë çështje me shumë seriozitet, edhe për të dhënë këshillat e duhura për qytetarët. Por nuk mund të themi që personi në fjalë ka instaluar një kamerë krejt për sistem alarmi.”

Aldor Nini: "Deri tani, me sa dini ju, nuk është vërtetuar asnjë nga këto pista. Aktualisht është vërtetuar vetëm që ajo kamerë ekziston. Nëse dikush e ka hakuar, mund t’i kapë transmetimet, t’i regjistrojë në sistemin e vet dhe pastaj më vonë t’i publikojë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos