Vrasësi i Martinit në paraburgim, përplasje mes "burgjeve" dhe spitalit. PD: Policia po fsheh ngjarjen

Nga Ornela Joti
26 Nëntor 2024, 16:55 | Aktualitet

Një javë nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, institucionet janë përfshirë në akuza të forta për fshehje të krimit, por edhe në përplasje mes tyre për autorin e dyshuar të ngjarjes.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka akuzuar spitalin privat “Hygea”, ku ka marrë trajtim 14-vjeçari që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, për mosdhënie të epikrizës mjekësore të të riut. Në lidhje me këtë shkelje ligjore drejtoria e burgjeve ka vënë në dijeni Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës.

Por kontaktuar nga A2 CNN drejtues të spitalit “Hygea” mohojnë që të jene bërë pengesë për vijimin e procedurave ligjore ndaj autorit të dyshuar të vrasjes së Martin Canit.

Leonard Solis, drejtor i spitalit privat bën të ditur për A2 CNN se mjeku ortoped dhe spitali kanë vepruar sipas të gjitha protokolleve të mjekimit. Epikriza apo fleta e daljes thekson Solis është vënë në dispozicion që në momentin kur është kërkuar.

Ndërsa mesditën e 26 nëntorit Mario Përlleshaj ka lënë spitalin për t’u transferuar në paraburgimin e të miturve në Kavajë. Edhe pas këtij qëndrimi kanë vijuar përplasjet në distancë mes Drejtorisë së  Përgjithshme të Burgjeve dhe spitalit “Hygea”.

Institucioni i burgjeve vijon reagimin duke theksuar se dokumenti i lëshuar nga mjeku ishte mjekim ambulator dhe jo epikrizë e mirëfilltë. Ndërsa spitali sqaron se fleta e daljes ishte një informacion i plotë për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe mundësinë që plaga të trajtohej në kushte ambulatore. Në lidhje me këtë informacion thekson spitali, drejtoria e burgjeve është vënë në dijeni që të premten e 22 nëntorit.

Ndërkohë Partia Demokratike ka përforcuar akuzat ndaj Policisë së Shtetit  për fshehje të krimit dhe autoreve të tjerë të përfshirë në ngjarje. Deputeti Flamur Noka përmes një dokumenti zyrtar të publikuar tregon se konfliktin ku mbeti I vrarë 14-vjeçari Martin Cani, ishin të pranishëm më shumë se 2 persona,  dhe se policia sipas tij po tenton të fshehë ngjarjen ashtu si në rastin e Klodian Rashës Më herët Sali Berisha akuzoi me emra se njëri prej shokëve të Marios, i përfshirë në konflikt është fëmija i dy prindërve që punojnë në BKH dhe SPAK dhe sipas tij kjo është një arsye se përse nuk zbardhet e vërteta e ngjarjes tragjike, ku u ther me thikë Martin Cani. Babai i Luisit, shokut të Martinit, i cili ende ndodhet në spital, ka pretenduar në media se i biri është goditur me dy thika. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos