Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Aldo Kalemin dhe Dali Nelën, të arrestuar në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj në Memaliaj.
Vendimi u mor duke pranuar kërkesën e prokurorisë, e përfaqësuar nga prokurorja Aulona Haxhiraj, e cila parashtroi rrethanat e ngjarjes dhe rolin e personave të përfshirë.
Sipas hetimeve, konflikti ka nisur mes disa personave dhe më pas ka përshkallëzuar në përdorim të armëve të zjarrit. Nga pamjet e sekuestruara dhe provat e mbledhura rezulton se viktima Endri Goxhaj ka qëlluar fillimisht në drejtim të Dali Nelës, duke e plagosur.
Më pas, dy vëllezërit e këtij të fundit, Donaldo dhe Marjoldo Nela, kanë reaguar duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të Goxhajt, i cili ka mbetur i vrarë.
Pas ngjarjes, Dali Nela është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. (A2 Televizion)