
Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi i ka kushtuar një mesazh lamtumire akademikut Rexhep Qosja, i cili ndërroi sot jetë në moshën 89-vjeçare.
Përmes një shënimi në rrjetet sociale, Lajçi shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe thekson se Qosja donte një ceremoni të thjeshtë, pa praninë e pushtetarëve që do të mbanin fjalime shterpë në funeralin e tij.
“Lamtumirë, i ditur ndër më të diturit e këtij kombi”, shkruan ai, duke nënvizuar se kujtimi i Qosjes do të mbetet në mendje, në fjalë dhe në kohë.
Mesazhi i Lajçit
Lamtumirë, Beselam
Ai deshti vetëm varr.
Vdekjen e vet e pati, dhe të drejtën që të mos ketë kurora lulesh.
Ai deshti dhé mbi trupin e vet;
nuk deshti pushtetarë që ekspozojnë “dijën e tepërt”
me fjalime shterpe mbi kokën e tij.
Ai ishte vuthjanë —
e vuthjanët e duen gurgullimën e Skakavçit,
nuk deshti t’ia prishin qetësinë e varrit,
prandaj zgjodhi me qenë vet, i vetëm,
me gjakun e vet të gjallë.
Mos u hatroni ju, të pushtetshmit,
që s’patët mundësi me u tregue edhe ma të mëdhej
tue folë për Rexhep Qosjen
te varri i përjetshëm.
Ai s’deshti fjalime koti;
ai deshti vetëm varr, vetëm heshtje, vetëm një rrugë drejt paqes.
Vdekjen e vet e pati,
dhe pati të drejtë me zgjedhë vetëm farën e vet
e veprën e vet për udhëtimin e fundit.
Lamtumirë, i ditun ndër ma të ditunit e këtij kombi.
Kujtimi yt mbetet në mendje, në fjalë dhe në kohë

(A2 Televizion)