Pranë Akademisë së Shkencave po zhvillohen homazhe në nder të Artan Lamës, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë pas një ndërhyrjeje në zemër.
Në ceremoni janë mbledhur miq, kolegë dhe personalitete të njohura të fushës, të cilët i japin lamtumirën e fundit një prej figurave më të respektuara të shkencës dhe administratës shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, Artan Lame ka mbajtur disa poste të rëndësishme, duke kontribuar në zhvillimin dhe modernizimin e institucioneve publike. Ai njihej për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, si dhe për rolin e tij si drejtues dhe ekspert i vlerësuar.
Artan Lame ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare në Mynih të Gjermanisë, pas një ndërhyrje të vështirë në zemër. Ai ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, Lame përfundoi studimet në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, dega Inxhinieri Markshajderi. Pavarësisht formimit teknik, ai u shqua si publicist, koleksionist, opinionist dhe njohës i thellë i historisë shqiptare. Ai kontribuoi për më shumë se dy dekada në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare.
Karriera institucionale dhe politike
Artan Lame ka mbajtur një sërë funksionesh të rëndësishme publike:
2000 – Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës
2000-2002 – Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
2002-2005 – Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit
2013-2019: Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale).
2019-2021: Drejtor i Përgjithshëm i ASHK (Agjensia Shtetërore e Kadastrës).
Në veprimtarinë politike, Lame ishte anëtar aktiv i Partisë Socialiste, pjesë e Asamblesë Kombëtare dhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të viteve 2005, 2009 dhe 2013. Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin e programit të PS-së në periudhën 2011–2013. (A2 Televizion)