Kryebashkiaku i Gramshit, Besion Ajazi ishte i ftuar në A2 Sot ku foli në lidhje me ngjarjen e rëndë ku disa fëmijë të kopshtit nr.1 në këtë qytet u paraqitën në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi i konsumuar.
Ajazi deklaroi se ende nuk ka një përgjigje të saktë se nga ka ardhur ky helmim, teksa sqaroi se në kopsht nuk ka shërbim kateringu dhe se ushqimi i mbetur nuk ruhet por derdhet në mbeturina.
“Shkuam në kopsht dhe morëm mostrat për 78 persona, 53 fëmijë dhe pjesa tjetër personale. 14 persona rezultuan pozitivë. Ka mbërritur dhe AKU dhe drejtori i përgjithshëm që morën mostra dhe priten përgjigjet. Nuk është një rast që na bën mirë. Ne si bashki kontrollojmë fletën e analizave. Nuk ka asnjë përgjigje për analizat, duhen ditë për të identifikuar bakterin. Nuk është një kompani cateringu. Ka gatim në kuzhinë dhe ai që ushqimi që mbetet derdhet. Por kjo i mbetet hetimit. Situata është në kontroll nga epidemiologët e Gramshit. Dyshimet janë të ndryshme. Mund të jetë nga ushqimi, mund të jetë nga uji dhe higjiena është e certifikuar si brenda rregullave. Mund të jetë dhe i mbartur”, tha Ajazi.
I pari i bashkisë së Gramshit bëri me dije se asnjë fëmijë nuk është shtruar në spital dhe kërkoi që ngjarja të mos përdoret nga politika.
“Mediat e kanë tollovitur, duke dhënë informacione të pavërteta. Nuk është rasti që ngjarje të tilla të përdoren për politikë. Të gjitha institucionet janë në këmbë për të ndjekur këtë ngjarje. Nuk ka pasur fëmijë të shtruar në spital. Kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë larguar për në shtëpi”, përfundoi kryetari i Bashkisë. (A2 Televizion)