Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të mbjellë me ullinj në afërsi të fshatit Kaninë, në Vlorë.
Mësohet se zjarri i favorizuar nga era e fortë po përhapet me shpejtësi në zonë.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe pyllin e Bodes në njësinë administrative Lozhan të bashkisë së Maliqit. Në kushte të tilla punonjësit e shërbimit zjarrfikës se bashku me dy mjetet e tyre kanë qenë të detyruar të largohen nga vatra e zjarrit pasi rrezikohej jeta e tyre.
Për momentin zjarrfikësit po krijojnë korridore për mos lejimin përhapjes së flakëve në sipërfaqet e tjera me pishë dhe ah.
Terreni i thyer malor dhe mungesa e rrugëve nuk lejon punonjësit e shërbimit zjarrfikës të shkojnë aty ku vatrat janë më aktive me mjetet që kanë në dispozicion. Për këtë arsye është bërë thirrje për ndihmë nga shërbimet e tjera zjarrfikëse të qarkut të Korçës e mbi të gjitha ndërhyrja nga ajri.
Burime zyrtare pranë bashkisë së Maliqit bëjnë me dije se është bërë kërkesë pranë Emergjencave Civile për dërgimin e helikopterëve për shuarjen e flakëve. (A2 Televizion)