Një prej personave që ushtronin biznesin e tyre në tregun e ish-Uzinës Dinamo te rruga “5 Maji” tregon për “Dita jonë” në A2 CNN se reagimi i forcave zjarrfikëse pas zjarrit që ra një natë më parë, nuk ishte në nivelin e duhur. “Zjarri ka filluar në rreth 2 metra katrorë dhe ka marrë vetëm një pjesë”, tregon ajo, “Zjarrfikësit nuk kishin ujë. Nuk e di, domethënë, kapaciteti nuk ishte i mjaftueshëm. Zjarri këtu nuk shuhet me ujë. Këtu duhej pluhur i bardhë, sepse është treg industrial. Duke ditur që tregu industrial ka tekstile, kartonë dhe dru, uji vetëm sa e përhapi më shumë zjarrin”.
Sipas saj, nga një zjarr prej 2 metrash katrorë u përfshi i gjithë kapanoni. “Nga një zjarr i vogël, u përhap gjithë flaka. Ishte një neglizhencë totale e shtetit. Nuk kishin kapacitetet e duhura për të fikur zjarrin. Kishin vetëm ujë. Ka ardhur boti i ujit dhe uji mbaroi. Uji mbaroi dhe më pas morën ujë nga uzina. Madje kishte edhe tubacione të larta. Uji furnizohej nga tubat, por nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm”, shtoi ajo. (A2 Televizion)