Rritja e pagës minimale, por dhe asaj mesatare e ndihmuan disi skemën e pensioneve të përmirësohej në 2023. Rritja e të ardhurave nga sigurimet shoqërore bënë që deficiti i krijuar si pasojë e shpenzimeve më të larta të ulej me 6.7 miliardë lekë.
Të dhënat e publikuara në raportin vjetor të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se deficiti arriti në 14.6 miliardë lekë një vit më parë nga 21.3 miliardë lekë në 2022.
“Nga 34 mijë lekë vajti 40 mijë lekë, kjo ka efektin e vet. Duke bërë këtë ndryshim page normal që kontributet do të shtohen. Kryesorja është në mbushjen e gropës o të shtohen të ardhurat ose të shkurtohen shpenzimet. Të cilat kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve”, shprehet Kujtim Hoxha, ekspert pensionesh.
Shifrat e 5 viteve të fundit bëjnë të ditur se ky tregues po vjen drejt përmirësimit cka do të thotë se nga buxheti i shtetit do të dalin më pak lekë nga taksat për skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë.
Ndjeshëm në këtë përmirësim kanë ndikuar edhe rritja e kontribuesve me 25 mijë e 623 duke arritur numrit më të lartë në 5 vitet e fundit në 826 mijë e 928 individë.
Por nga ana tjetër si pasojë e ritmeve të shpejta të plakjes së popullësisë, edhe numri i përfituesve në këtë skemë është rritur në 704 mijë e 999 individë, rreth 18 mijë më shumë se në 2022.
“Kjo shifër pavarësisht është 1 të 100 e përmirësuar krahasuar me 2022 është shqetësuese. Dhe me konceptin që skema e sigurimeve shoqërore që me të ardhurat të paguaj shpenzimet është e rënduar.”
Pavarësisht përmirësimit të lehtë të disa prej treguesve, përsëri raporti kontribues/përfitues është shqetësues. Thënë ndryshe 1.17 kontribues për një përfitues. Një rritje me vetëm 0.01% krahasuar me 2022 duke e renditur Shqipërinë një ndër vendet me raportin më të ulët dhe alarmant. (A2 Televizion)