Turizmi do të mbajë “gjallë” ekonominë, ekspertët: Performancë pozitive, por rritja ekonomike pritet e moderuar në 2024

Nga Marinela Lina
3 Prill 2024, 16:24 | Ekonomi

Një rritje ekonomike më e moderuar me turizmin si “shpëtimtar”. Kështu pritet të jetë performanca e ekonomisë së vendit tonë, sipas ekspertëve të tregut për vitin 2024. Një ngadalësim i rritjes ekonomike në fund të 2023, por dhe në total poshtë pritshmërive të ministrisë së Financave, pritet të vërehet edhe në vitin aktual sipas tyre, duke pasqyruar vështirësinë e shumë sektorëve.

“Turizmi ka pritshmëri të jetë pozitive, eksportet do lënë për të dëshiruar, bujqësia gjithashtu. Parashikimet  janë se rritja ekonomike për 2024 do jetë pak më e moderuar sesa ishte në 2023”, tha Muço.

Pavarësisht një bumi turistësh në 2023 dhe parashikimeve për rreth 14 milionë në 2024, konsumi nga popullata nuk po reflektohet siç duhet. Është informaliteti sipas ekspertit Muço, i cili po ndikon negativisht ekonominë e vendit.

“Si ka mundësi që kemi rritje ekonomike e bum turistësh dhe nga ana tjetër më pak konsum që tregon që ka diçka që nuk shkon”, u shpreh eksperti.

Shërbimet, informacioni e komunikimi, aktivitet financiare apo tregtia pritet të kenë një rritje të kënaqshme, ndërsa një frenim parashikohet për vijueshmërinë e sektorit të ndërtimit.

“Sektori në rritjen më të lartë mbetet ndërtimi dhe që tregon se ka lulëzuar qoftë ndërtimi, por dhe shitblerjet e pasurive të paluajtshme”, theksoi Muço.

Rritja ekonomike në 2023 arriti në 3.44%, 0.26% më pak se parashikimi i Ministrisë së Financave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos