Periferia në fokus, Shqipëria drejt BE, fokusi te gratë dhe sipërmarrjet e vogla

Nga Marjo Brakaj
25 Maj 2026, 13:55 | Ekonomi

Shqipëria është në miljet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo”-je, vendi duhet fillimisht të integrohet ekonomikisht edhe në periferi. “Unioni” po i jep një dorë vendit në këtë drejtim me instrumentet e tij.

“Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës po zbaton një program të integruar financimi dhe asistence teknike që synon mbështetjen e fermerëve ruralë dhe sipërmarrësve të vogla në Shqipëri, me fokus të veçantë fuqizimin ekonomik të grave. Projekti synon forcimin e kapaciteteve të fermerëve ruralë dhe sipërmarrësve të vegjë në zonat periferikel, me fokus të veçantë fuqizimin e grave, përmes trajnimeve, demonstrimeve praktike dhe mbështetjes së ekspertëve”, tha Kristina Maslauskaite, Bankën e Zhvillimit, Këshilli i Evropës.

Shqipëria humb rreth 345 miliardë lekë çdo vit si rrjedhojë e mos-përfshirjes së grave në jetën ekonomike të vendit. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore hendeku gjinor gërryen afro 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndaj fokusi i këtij instrumenti janë pikërisht gratë.

“Ky program financimi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos ofrojë vetëm kredi, por edhe asistencë teknike për përfituesit, në mënyrë që projektet të jenë sa më të qëndrueshme dhe të suksesshme në zbatim. Ne kemi vendosur një fokus të veçantë tek mbështetja e grave sipërmarrëse, duke ofruar kushte më të favorshme financimi dhe norma më të ulëta interesi, si një mënyrë për të nxitur përfshirjen e tyre më të madhe në ekonomi dhe për të forcuar rolin e tyre në biznes”, tha Pëllumb Aleksi. CEO, FED Invest.

Haxhire Deirxhiu, bletërritëse nga Preza e Tiranës është një nga gratë që ka përfituar nga ky instrument. “Ne punojmë me kreditë që marrim. Na ka shërbyer gjatë gjithë jetës. ne merremi me bletari prej 48 vitesh tashmë”, tha ajo.

Çmimin e hendekut gjinor e pranon edhe qeveria, që për zbutjen e tij do të përdorë si formulë nxitjen e punësimit te gratë përmes zejtarisë.

Në fund të këtij rrugëtimi financiar dhe europian, mbetet një ide e qartë: integrimi nuk matet vetëm në dokumente apo kapituj negociatash, por në mënyrën si ekonomia prek jetën e përditshme. Dhe në këtë rrugë, fuqizimi i grave dhe mbështetja e sipërmarrjeve të vogla duket se po kthehen në një nga “testet” më reale të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos