Ministri Karakaçi tregon planet. Nga aeroporti i Vlorës, te porti, hekurudha dhe aksi Tiranë-Durrës

Nga Marjo Brakaj
22 Maj 2026, 15:14 | Ekonomi

Teksa nënvizoi se “konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës është një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes palëve private”, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi paralajmëroi ndërhyrje institucionale.

“Kjo situatë nuk do të lejohet. Shteti do të marrë masat për zbatimin e kontratës. Konflikti aktual nuk do të tolerohet të sjellë pasoja mbi shtetin dhe ekonominë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng një infrastrukturë kombëtare”, tha ministri, përcjell A2 CNN.

Ministri Karakaçi tregoi se kur do mund të udhëtojnë me tren qytetarët nga Tirana për në Durrës dhe anasjelltas. “Unë vlerësoj se viti 2027 është i arritshëm, por do të stepesha për të dhënë një afat fundor,

sepse një pjesë e projektit është në fazën e prokurimit publik. Në këtë fazë gjërat mund të shkojnë mirë, por mund të ketë edhe ndonjë vonesë. Megjithatë, patjetër që në vitin 2027 do të kemi vijën e parë hekurudhore funksionale në Shqipëri”.

Nga konferenca e përmuajshme me gazetarët, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi edhe mbi negociatat që po zhvillohen për të nisur punimet për ndërtimin e Portit të ri Tregtar në Porto Romano.

“Porto Romano është nyjë strategjike për lëvizjen e mallrave, por edhe për mbrojtjen, pasi është pjesë e Korridorit 8. Jemi në bisedime dhe do të përpiqemi t’i japim një zgjidhje sa më të shpejtë”, u shpreh ai.

Ndërkohë për të zgjidhur trafikun në aksin Tiranë-Durrës do të shembet mbikalimi i Rinasit për të krijuar një të ri me 4 korsi. “Mbikalimi i Rinasit krijohet hinka, por po vijojnë punimet pas mbikalimit të Rinasit. Pjesë e kontratës është shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi të ri me 4 korsi dhe vazhdimi me 2 km të tjerë i korsive shtesë që janë duke u punuar. Kjo do i japë një shfryrje më të madhe trafikut në rrugën Tiranë-Durrës”.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi siguroi që për momentin nuk ka plane për ta bërë me pagesë kalimin në autostradën Tiranë-Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos