Euro po e mbyll 2025-n në nivelin më të ulët historik. Këtë fund-dhjetor, valuta europiane po këmbehet për mesatarisht vetëm 96.6 lekë. “Tradicionalisht, në prag të çdo fundviti vërehet një rritje e ofertës së euros në treg. Kjo lidhet me kthimin e emigrantëve, shtimin e remitancave dhe shpenzimet e fundvitit, të cilat rrisin ndjeshëm qarkullimin e valutës europiane dhe ushtrojnë presion mbi kursin e këmbimit”, thotë për A2 CNN Romina Radonshqi, eksperte ekonomie.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se që nga fillimi i vitit, euro ka humbur plotë 1.62 pikë. Ndërkohë krahasuar me një vit më parë, valuta europiane është tkurrur me 1.54 pikë. Kjo edhe si pasojë e turistëve që ende vijojnë të vijnë në Shqipëri.
“Gjatë këtij viti kemi pasur një kombinim faktorësh shumë të fortë: rritje të remitancave dhe një fluks ende të lartë turistësh. Të dy këta elementë kanë futur më shumë euro në ekonomi, ndërsa kërkesa për lekë është rritur, duke e dobësuar më tej euron”, thotë Radonshiqi.
Euro po rrudhet shpejt, përballet me një realitet të ri shqiptar, ku fuqia vendase e parasë po fiton besim dhe pavarësi. Bashkë me të po tkurren edhe valutat e tjera kryesore në vend si dollari amerikan, paundi britanik apo franga zvicerane.
“Një faktor që nuk mund të anashkalohet është edhe prania e parasë informale. Qarkullimi i sasive të mëdha të euros, që nuk kalojnë gjithmonë në kanale formale bankare, ndikon në rritjen e ofertës valutore dhe e shtyn kursin e këmbimit në nivele historikisht të ulëta”, thotë Radonshiqi.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se deri në tetor u këmbyen plotë 11.3 miliardë euro, shifër kjo 2 deri në tre herë më e lartë se në vitet 2019, 2020 apo 2021. (A2 Televizion)