Fundviti është një periudhë me rëndësi të veçantë për familjet shqiptare, e cila tradicionalisht shoqërohet me festa dhe grumbullime. Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj feste është tryeza e Vitit të Ri, e cila natyrisht ka edhe koston e saj.
Gazetari Mario Brakaj bëri një përllogaritje në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN të faturës për një darkë të Vitit të Ri me të gjithë produktet bazë, që zakonisht nuk mungojnë në tryezat shqiptare.
“Tradicionalisht, gjeli i detit nuk mungon në tryezat shqiptare. Ne kemi marrë si referencë një gjel deti rreth 5 kilogramë, me çmim mesatar 1200 lekë të vjetra për kilogram, duke iu referuar tregut të Tiranës. Në total, gjeli i detit kushton rreth 60 000 lekë të vjetra. Për pijet alkoolike, kemi përllogaritur dy shishe verë ose pije shoqëruese, me një kosto totale rreth 32 000 lekë të vjetra. Bakllavaja, rreth 2–3 kilogramë, e blerë e gatshme, kushton mesatarisht 19 000 lekë të vjetra. Nëse do të përgatitej në shtëpi, kostoja mund të ishte disi më e ulët, por gjithsesi rreth kësaj shifre do të vërtitej”, thotë Brakaj.
“Më tej kemi antipastat, gjalpin, mishin e viçit apo qengjit si alternativë, sallatën ruse, panetonen, frutat, perimet, zarzavatet, bukën, e cila edhe pse mund të duket e tepërt për darkën festive, nuk mungon. Djathin, arrat, ullinjtë, miellin, vezët, qumështin, si dhe koston e energjisë elektrike. Vetëm për gatimin, soba qëndron e ndezur pothuajse gjithë ditën dhe kjo përkthehet në rreth 500 lekë të reja shpenzim energjie. Në total, kostoja e një darke fundviti arrin rreth 250.000 lekë të vjetra”.
Sipas Brakajt, krahasuar me vitin 2024, ka një rritje të ndjeshme çmimesh, veçanërisht për mishin, si pasojë e braktisjes së blegtorisë dhe rritjes së importeve. “Kur çmimet rriten jashtë, ato reflektohen edhe më fort në tregun vendas. Mishi, djathi, vaji dhe produktet e tjera bazë janë më të shtrenjta këtë vit. Sipas të dhënave të INSTAT, një familje me tre anëtarë ka të ardhura mesatare mujore rreth 93.042 lekë të reja. Ndërkohë, darka e fundvitit kushton rreth 24.940 lekë të reja, që do të thotë se zë 26.8% të të ardhurave mujore. Pra, më shumë se një e katërta e buxhetit familjar shkon vetëm për një darkë”, tha ai.
“Për pensionistët, barra është edhe më e rëndë. Një çift pensionistësh me të ardhura mujore rreth 39.200 lekë të reja, duhet të shpenzojë rreth 63.6% të të ardhurave për tryezën e fundvitit. Shumë prej tyre e pohojnë se pa ndihmën e fëmijëve apo familjarëve, kjo darkë do të ishte e pamundur”.
Përveç ushqimeve, një tjetër element i rëndësishëm janë dhuratat. “Gjatë festave dhuratat janë kthyer në traditë. Më të shpeshtat janë produktet kozmetike dhe parfumet, me çmime që variojnë nga 20 000 deri në 100 000 lekë të vjetra. Aksesorët dhe bizhuteritë nisin nga 15 000 deri në 80 000 lekë të vjetra, ndërsa ari ka çmime shumë më të larta. Lodrat për fëmijë kushtojnë nga 5000 deri në 50 000 lekë të vjetra. Pajisjet elektronike, si kufje, tabletë apo telefona, variojnë nga 50 000 deri në 500 000 lekë. Librat janë më ekonomikë, me çmime nga 500 deri në 5000 lekë të vjetra”, tha ai. (A2 Televizion)