Shqiptarët po investojnë për të “pleqëruar me dinjitet”. Pasiguritë ekonomike, bashkë me plakjen e shpejtë të popullsisë nga njëra anë dhe fakti se ajo që të moshuarit në vend marrin nuk mjafton, po i shtyn qytetarët drejt skemave private të pensioneve.
Nga më pak se 45 mijë në fund të vitit 2024, numri i atyre që kontribuojnë vullnetarisht arriti në mbi 48 mijë në fund të qershorit të këtij viti.
“Ligji i fundit për rregullimin e skemës së pensioneve private vullnetare ka bërë të mundur dhe ka krijuar disa incentiva për disa punonjës që futen në këto skema. Nga ana tjetër, ligji ka krijuar edhe lehtësi për punëmarrësit, që një pjesë të kontributit ta bëjnë të zbritshëm nga paga e punonjësve. Kjo ka bërë që të rritet numri i të interesuarve”, thotë për A2 CNN, Avni Ponari, sipërmarrës në tregun e sigurimeve.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e parave të investuara në skemat private të pensioneve, në fund të qershorit, arriti mbi 16.6 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 4 miliardë lekë, ose 8.4 për qind, krahasuar me vitin 2024.
Po a ia vlen investimi në skemat private dhe sa mund të jetë vlera e pensionit që i moshuari do të marrë kur të arrijë moshën e pensionit? “Nis nga 30-40, 50 apo edhe 70 mijë lekë nga skema vullnetare private dhe 20-30 mijë lekë nga ajo publike. Në fund, ai që del në pension merr rreth 1 milionë lekë të vjetra në muaj”, thotë Ponari.
Megjithëse ka një rritje të qëndrueshme, por të ngadaltë, aktualisht vetëm 7.1 për qind e të punësuarve që marrin një rrogë mujore kontribuojnë në skemat private të pensioneve.
Si në çdo treg, edhe këtu ka mosbesim. “Nuk kemi besim te këto. Unë, po të kem lekë, i fus në bankë më mirë sesa te pensionet vullnetare”, thonë qytetarë
Nevoja për më shumë ndërgjegjësim pranohet edhe nga vetë aktorët e tregut të sigurimeve. “Duhet nisur me ndërgjegjësimin. Si çdo gjë e re, edhe skema private vullnetare e pensioneve paragjykohet. Duhet të mësohemi të mos paragjykojmë gjithçka”, thotë Ponari.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se aktualisht pjesa më e madhe e të përfshirëve në skemat vullnetare të pensioneve janë gra. Ndërkohë, përfaqësues të tregut të sigurimeve thonë se, që ai të zhvillohet, skemës së pensioneve i duhet shtuar “kolona e dytë” e detyruar, një kombinim mes shtetit dhe privatit. (A2 Televizion)