Risi në zhdoganimin e automjeteve, Dogana miraton manualin: Ja si do të llogaritet vlera e makinave

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 17:20 | Ekonomi

Risi në zhdoganimin e automjeteve, Dogana miraton manualin: Ja si do

Administrata Doganore ka miratuar manualin e ri për procedurën e vlerësimit në zhdoganimin e automjeteve, me synimin për të garantuar një vlerësim sa më real, të drejtë dhe objektiv të mjeteve që importohen në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Dogana Shqiptare bën të ditur se sipas rregullave të reja, metoda kryesore e vlerësimit mbetet ajo e vlerës së transaksionit, e cila bazohet në dokumentacionin përkatës të paraqitur nga importuesi, si fatura e blerjes dhe konfirmimi bankar i pagesës.

Administrata Doganore sqaron se vetëm në rastet kur nuk mund të zbatohet metoda e vlerës së transaksionit si dhe metodat e tjera të vlerësimit, sipas rendit të përcaktuar 1–5, Administrata Doganore i referohet çmimeve reale të publikuara online, në burime dhe buletine të specializuara, të përcaktuara në manual.

Një nga risitë është përfshirja e kilometrave të përshkuara nga automjeti si element në përcaktimin e vlerës, krahas të dhënave të tjera teknike.

Sipas Doganës Shqiptare, qëllimi i procedurave të reja është që vlera doganore e automjeteve të përcaktohet në mënyrë sa më transparente dhe në përputhje me karakteristikat reale të automjetit në momentin e zhdoganimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos