Mallra kineze ngado, forcohen masat ndaj mallrave kontrabandë dhe të falsifikuara

Nga Marjo Brakaj
20 Shkurt 2026, 17:03 | Ekonomi

Nga lodrat te veshjet e këpucët, pa kursyer as flamurin kombëtar... Në dyqane apo tregjet e Tiranës mund të blesh lirshëm produkte false. Kryesisht të ardhura nga Kina, ato i gjen të ekspozuara ngado, në pritje të blerësve që joshen nga çmimet e lira.

Teksa e pranon fenomenin, Ministria e Financave tregon edhe masat që pritet të ndërmerren për të kufizuar qarkullimin e këtyre produkteve, me qëllim garantimin e konkurrencës: “Synimi është që brenda vitit 2027 të jetë rritur bashkëpunimi në luftën kundër informalitetit, kontrabandës, korrupsionit dhe importit të mallrave të falsifikuara. Masat për 2024-2027 përfshijnë bashkëpunimin me organet ligj-zbatuese për rritjen e kapjeve të mallrave të falsifikuara, shkëmbimi i informacionit me dogana homologe dhe bashkëpunimin me kompanitë importuese”.

Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, mallrat e kopjuara arrijnë të zënë rreth 25 për qind të tregtisë në vend, shkruan A2. Kjo rrjedhimisht do të thotë më pak të ardhura për arkën e shtetit: “Zbatimi i këtyre masave pritet të ulë kostot e biznesit lidhur me procedurat doganore si dhe të gjenerojë të ardhura shtesë në rreth 0.17 për qind e PBB ose 4.5 miliard lekë.”

Masat e reja ligjore që pritet të zbatohen nga vitii ardhshëm synojnë të lehtësojë procedurën që duhet të ndjekë një biznes për regjistrimin e emrit si dhe sjell risi sa i takon markave ndërkombëtare duke qenë se tashmë jemi pjesë e një tregu të hapur global. Baza e re ligjore, ndër të tjera është edhe kusht i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos