Vijnë nga Kina dhe Turqia, rrobat imitime, kërcënim për industrinë e veshjeve në vend

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2026, 17:11 | Ekonomi

“Dior”, “Gucci” “Jordan”, mbi 103 mijë palë veshjet e falsifikuara të disa prej markave të njohura ndërkombëtare që u kapën nga Drejtoria e Antikontrabandës të enjten janë vetëm “maja e ajsbergut” e imitimeve që shiten e blihen në vend. Qarkullimi i tyre është kërcënim i drejtpërdrejtë për industrinë e veshjeve në vend.

“Kur tregu mbushet me produkte që shiten me çmime shumë më të ulëta se kostoja reale e prodhimit, bizneset serioze vendosen në një garë të padrejtë. Ne investojmë në punonjës, cilësi dhe taksa, ndërsa imitimet e dëmtojnë drejtpërdrejt këtë zinxhir”, u shpreh sipërmarrës në sektorin e manifakturës, Florian Zekja për A2 CNN.

Gjatë pesë viteve të fundit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka kryer 10 raste të bllokimit të përkohshëm të mallrave të falsifikuara. Janë 333 mallra kryesisht të llojit veshje dhe këpucë që janë sekuestruar.

“Kontrollet janë të rëndësishme, por nevojitet një mekanizëm më i shpejtë reagimi. Sa herë që një sasi e tillë hyn në treg, dëmi për prodhuesit vendas është i menjëhershëm dhe rikuperimi kërkon kohë”, tha Florian Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës.

Vendet me riskun më të lartë për origjinën e mallrave të falsifikuara që hyjnë në Shqipëri janë kryesisht vendet e Azisë dhe Turqia.

“Origjina e këtyre mallrave është zakonisht nga tregje ku standardet dhe kontrolli janë më të dobëta. Për këtë arsye bashkëpunimi mes doganave, institucioneve dhe vetë bizneseve është thelbësor për ta frenuar fenomenin në kufi”, theksoi për A2 CNN Florian Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës.

Por futja e mallrave të falsifikuar në një treg, nuk është një dëm vetëm për pronarët e të drejtave të tyre, por edhe një dëm i madh për shtetin. Bashkimit Europian ky fenomen i kushton miliarda euro dhe mijëra vende pune çdo vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos