
TIRANË, 14 Maj 2026: Pas një mungese prej tre vitesh, skena shqiptare mirëpriti rikthimin e violinistit shqiptar me famë botërore, Tedi Papavrami, në një shfaqje me jehonë të jashtëzakonshme artistike.
Përmes dy mbrëmjeve magjike në Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Papavrami interpretoi “24 Capricci”-t e Niccolò Paganini-t, duke i dhuruar publikut një performancë të rrallë të njërës prej veprave më sfiduese të repertorit botëror.
“Për mua, interpretimi i dy koncerteve me integralin e 24 Kapriçove të Paganinit në Shqipëri ishte realizimi i një ëndrre të kahershme të jetës muzikore shqiptare. Fakti që koncertet u zhvilluan me sallë plot dhe me praninë e shumë të rinjve në publik ishte veçanërisht prekës. Në një kohë kur arti shpesh i nënshtrohet ritmit të konsumit të shpejtë, ishte inkurajuese të shihje një përqendrim kaq të madh ndaj një vepre kaq kërkuese. Mbështetja e ABI Bank ka pasur një domethënie të veçantë, sepse projekte të tilla kërkojnë besim, durim dhe vizion afatgjatë”, u shpreh Tedi Papavrami.

Ky cikël koncertesh, i mundësuar nga mbështetja e ABI Bank, shënon vijimësinë e një bashkëpunimi të suksesshëm që nisi në dhjetor 2023, kur Papavrami, së bashku me pianisten Maki Okada, performuan kryevepra të Debussy, Fauré, Schumann dhe Brahms.
Për ABI Bank, këto evente tejkalojnë përmasat e një shfaqjeje skenike, duke u shndërruar në misione edukimi dhe solidariteti. Koncerti i fundvitit 2023 mbarti një dimension të lartë social: të ardhurat e mbledhura financuan një bursë studimi jashtë vendit për Marla Hoxhën, nxënësen e talentuar të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Fituesja u përzgjodh personalisht nga mjeshtri Papavrami, duke dëshmuar rëndësinë e krijimit të urave mes ekselencës në nivele ndërkombëtare dhe talentit të ri vendas.
Përmes këtij angazhimi sistematik, ABI Bank ka ndërtuar një profil të qëndrueshëm si promotor i artit dhe artistëve shqiptarë. Mbështetja e bankës shtrihet përtej skenave muzikore, duke prekur pikat më domethënëse të përfaqësimit kulturor të Shqipërisë në botë.

Në këtë kuadër, ABI Bank është Partneri Kryesor i Pavijonit Shqiptar në edicionin e 61të të La Biennale di Venezia. Në arenën më prestigjioze të artit bashkëkohor, Shqipëria përfaqësohet nga Genti Korini me projektin “A Place in the Sun”, një vepër që eksploron përvojën njerëzore përmes një gjuhe universale dhe reflektuese.
“Si artist, besoj se çdo udhëtim kulturor fillon me dikë që guxon të besojë te imagjinata dhe kreativiteti i artistit përpara se ajo të konfirmohet në publik. Në këtë frymë, shpreh mirënjohjen time për ABI Bank për mbështetjen jo vetëm të këtij projekti të artit 1 bashkëkohor, por edhe të zërit dhe identitetit krijues të Shqipërisë në një skenë ndërkombëtare”, u shpreh Genti Korini.
“Tedi Papavrami dhe Genti Korini janë artistë dhe miq shumë të mirë. Ka qenë një privilegj për ABI Bank të mbështesë aktivitete të tilla që përfaqësojnë vlerat më të mira të artit shqiptar në vend dhe botë”, tha Andi Ballta, CEO i ABI Bank.

Mbështetja e artistëve si Tedi Papavrami dhe projekteve madhore si La Biennale di Venezia dëshmon vizionin afatgjatë të ABI Bank në kuadër të iniciativave të përgjegjësisë sociale të korporatës.
Për institucionin, arti dhe kultura nuk janë thjesht sponsorizime, por investime strategjike në identitetin kulturor dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky angazhim synon zhvillimin e një shoqërie më të vetëdijshme, më reflektuese dhe më të lidhur me vlerat më të larta të qytetërimit. (A2 Televizion)