Rrugët shqiptare vazhdojnë të përballen me një bilanc të rëndë nga aksidentet. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për muajin maj 2025, janë regjistruar 130 aksidente rrugore, duke e çuar numrin total për pesëmujorin Janar–Maj në 531 aksidente në të gjithë vendin.
Megjithëse ka një rritje të lehtë të aksidenteve krahasuar me muajin prill, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vërehet një ulje me mbi 14% si në numrin e aksidenteve, ashtu edhe në numrin e të aksidentuarve.
Numri i të aksidentuarve për muajin maj është 185, mes tyre drejtues mjetesh, pasagjerë dhe këmbësorë. Shumica dërrmuese – mbi 90% e aksidenteve – janë shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve, shpesh për shkak të shpejtësisë, mungesës së vëmendjes apo shkeljeve të sinjalistikës, shkruan A2 CNN.
Mosha më problematike vazhdon të mbetet 25–44 vjeç, ndërsa për herë të parë, raporti gjinor tregon një rritje të përfshirjes së femrave si drejtues mjeti në aksidente, krahasuar me vitin e kaluar.
Pamjet që shoqërojnë statistikat janë të zakonshme: rrugë të ngarkuara, semaforë të shpërfillur, dhe shpejtësi të pakontrolluara në segmentet urbane dhe interurbane.
Autoritetet theksojnë se me afrimin e sezonit turistik dhe fluksin e automjeteve, rreziku për aksidente pritet të rritet, ndaj është kërkuar forcim i kontrolleve rrugore, sidomos në zonat bregdetare dhe pikat hyrëse në qytete të mëdha.
Sipas të dhënave të INSTAT për periudhën janar–maj 2025, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 661 aksidente rrugore, me një ulje prej 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (A2 Televizion)