Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), po bashkërendon punën me institucionet e linjës për rritjen e sigurisë ushqimore në tregje.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Agjencinë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ka përfunduar me sukses fazën e parë të fushatës së ndërgjegjësimit në të gjithë vendin, e fokusuar te operatorët e biznesit në sektorin bujqësor, shkruan A2 CNN.
Kjo fushatë, e zhvilluar në mënyrë të koordinuar, kishte si synim kryesor ndërgjegjësimin dhe dialogun me subjektet që operojnë në fushën e importit, tregtimit dhe përdorimit të inputeve bujqësore, pikat e grumbullimit, si dhe me operatorët profesionistë dhe fermerët që merren me prodhimin e fruta-perimeve dhe bimëve medicinale.
Fushata funksionoi si një platformë komunikimi të drejtpërdrejtë me bizneset, me qëllim: Identifikimin e sfidave në terren, Marrjen e sugjerimeve për përmirësim, Ofrimin e këshillimit teknik dhe ligjor dhe rritjen e ndërgjegjësimit në përdorimin korrekt dhe të sigurt të inputeve bujqësore.
Kjo ndërhyrje vjen në një moment të rëndësishëm për bujqësinë shqiptare, në periudhën më intensive të përdorimit të inputeve në kulturat bujqësore, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore dhe shëndetin e bimëve.
AKU nënvizon se fushatat e ndërgjegjësimit do të vijojnë edhe në fazat në vijim, si pjesë e një strategjie afatgjatë për rritjen e standardeve në bujqësi dhe mbrojtjen e konsumatorit. (A2 Televizion)