
Çështja ‘Bankers’ u diskutua edhe një herë në Komisionin e Ekonomisë këtë të mërkurë, siç prej vitesh ka ndodhur sa herë që ka raportuar KLSH.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe kërkoi disa sqarime nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për një auditim që i është bërë kompanisë Bankers Petroleum, nga ku rezulton se përveç evazionit fiskal, çështje për të cilën është në hetim, kjo kompani ka edhe 34.6 milion euro detyrime ndaj Albpetrol.
Pyetje Erion Braçe: “Kompania e Bankers Petroleum i ka detyrime kompanisë Albpetrol 16 milion euro për zërin energji elektrike e pashlyer. Qëndron ky konstatim që ju keni bërë në raportin e auditimit për kompaninë Albpetrol apo jo? Dhe përsëri në auditim ju vëreni që është përsëri një detyrim i pashlyer. Pra nga Bankersi në drejtim të Albpetrolit, janë 54.000 ton naftë bruto e patërhequr me një vlerë referuar çmimit të bursës që shkon 18.6 milion euro të tjera. Po t'i mbledhësh këto janë gati 34.6 milion euro detyrime. Në kushtet kur Bankers Petroleum është në një procedim penal, në kushtet kur marrëveshja hidrokarbure është në fund të saj, cili është opinioni juaj? Apo vendimi apo sugjerimi apo rekomandimi që keni bërë? Si mund të mblidhen këto para?”.
Përgjigje Kreu i KLSH: “Është ekzakt ai që ju thatë, i qëndrojmë në mënyrë të plotë konstatimit tuaj dhe ne kemi kryer edhe veprimet e detyrueshme, jo të nevojshme në raport me ligjin". (A2 Televizion)
