Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese

Nga Marjo Brakaj
29 Tetor 2025, 16:23 | Ekonomi

Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit pengohen nga institucionet publike për të aksesuar databazën e të dhënave të tyre për auditim, u ankua të mërkurën në Kuvend kryetari i i këtij institucioni, Arben Shehu, por pa pëmendur me emër këto institucione publike.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për zgjatjen tej afateve ligjore të auditimeve, Shehu tha se kjo zgjatje nuk vinte për faj të të audituesve, por të institucioneve nën auditim.

“Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim,” tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë, duke e shtuar se “ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, pyeti se çfarë zgjidhje sugjeronte Shehu për të adresuar problemin dhe a kishte diçka që mund të bënte Kuvendi ndaj zyrtarëve shtetërorë që të mos shmangin përgjegjësinë ligjore.

“Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së, duke lajmëruar komisionin se do të drejtohej në në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos