Ngre siparin në Pallatin e Kongreseve edicioni i katërt i Panairit të “Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbërt”, eventi më i rëndësishëm i vitit dedikuar këtyre sektorëve strategjikë.
Organizuar nga Iceberg Exhibitions dhe me A2 CNN si partner mediatik, ky panair është kthyer në një platformë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi për kompani, investitorë, institucione publike dhe profesionistë të fushës, që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme.
Kompani prestigjioze që janë pjesë e panairit shpjeguan risitë që kanë sjellë në këtë event për tregun shqiptar, dhe që do të ndihmojnë në përshpejtimin e tranzicionit drejt investimeve të qëndrueshme në ndërtim dhe në tregun e pasurive të patundshme.
Ndërtimi dhe pasuritë e patundshme janë shndërruar në sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare vitet e fundit, nxitur nga kërkesa e shtuar për blerje pronash jo vetëm nga rezidentët, por edhe nga shqiptarët e diasporës dhe të huajt.
Një kërkesë e tillë imponon edhe standarde të reja drejt investimeve të qëndrueshme, që garantojnë përfitim ekonomik afatgjatë dhe mbrojtje mjedisore. (A2 Televizion)
