Barrierat ekonomike po sfidojnë bashkëpunimin tregtar në Ballkanin Perëndimor. Në një kohë që gjashtë vendet e Rajonit po synojnë tregun europian, me gjithë dhjetëra marrëveshjet e firmosura, kamionët duhet të presin mesatarisht dy orë në doganat e secilit shtet.
Në Shqipëri janë 13 sektorë të ekonomisë përballen me barriera tarifore dhe jo tarifore duke e bërë shumë të vështirë depërtimin e bizneseve shqiptare në tregjet europiane.
“Po flasim për tregun e përbashkët evropian, me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe mund të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar”, tha Meta.
Qeveria po përpiqet të korrigjojë këtë problematikë me anë të një procesi që do të identifikojë pengesat ekzistuese, duke hequr ato që janë të panevojshme. Për të pasur rezultate sa më konkrete do të bëhet njohja reciproke e dokumentacioneve që shoqërojnë mallrat në import dhe eksport.
“Është e sigurt që lehtësimi i aktiviteteve të tregtisë ka një impakt pozitiv për ekonominë kur procedurat zbatohen me eficencë dhe efikasitet. Lehtësimi i procedurave doganore për importet, eksportet dhe transitet e mallrave ka përfitime disaplanëshe për rritjen e volumeve tregtare ndërkohë që redukton burokracinë e tepruar dhe vonesat e kushtueshme për biznesin si dhe kostot administrative në kufi”, u shpreh drejtori i doganave Gazheli.
Për presidenten e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa këto objektiva mund të arrihen më lehtë, me ndihmën e digjitalizimit.
“Ne nuk do të jemi një Rajon konkurrues nëse nuk rrisim përpjekjet drejt, digjitalizimit, tranzicionit të gjelbër dhe eliminimit të barrierave brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Ines Muçostepa.
Muajin e shkuar Ministria e Financave dhe Ekonomisë hodhi për konsultim publik edhe një strategjinë ndërsektoriale për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut 2023-2030. Nisma synon fuqizimin e një sistemi me funksionim të plotë të sigurisë ushqimore dhe të mbrojtjes së konsumatorit, monitorim dhe kontroll në përputhje me standardet e “bllokut”, si dhe reduktimin e barrierave me vendet e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)