
Ligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit, buxheti i shteti për vitin e ardhshëm ka nisur maratonën e diskutimeve në komisionet parlamentare. Në mungesë të demokratëve për të tretin vit me radhë, ministri i Financave tregoi edhe drejtimet kryesore ku do të shpërndahen paratë.
“Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen në financimin e sektorëve prioritarë siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale dhe bujqësia”, tha ministri Malaj.
Nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ministri Petrit Malaj tregoi edhe projektet infrastrukturore që pritet të marrin jetë nga viti i ardhshëm.
“Ku përmendim zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, Elbasan-Lekaj, by-passi i Elbasanit dhe Berat-Ballaban Gjithashtu do të vijohet zbatimi i projekteve koncesionare prioritare si rruga e Arbrit, Orikum-Dukat, by-pass i Portit të Jahteve dhe Milot-Morinë.”
Për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dha opinionin e saj edhe Banka e Shqipërisë.
“Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin dhe mbështetjen e saj më të mirë, zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve nëpërmjet mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programit buxhetor në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, u shpreh Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatore e BSH.
Po ashtu Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të monitorojë koncesionet pasi mund të ngarkojnë buxhetin e shtetit me kosto shtesë.
“Për projektet e partneritetit publik privat, në buxhetin e vitit 2026 është përcaktuar një tavan i sipërm i vëllimit. Vlera totale e projekteve e PPP-ve në masën 27.1% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe është kufizuar shuma totale e shpenzimeve që do të përballohen nga buxheti në masën 5% të të ardhurave tatimore të vitit pasardhës. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë inkurajon përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë, vlerësojnë dhe kontraktojnë, monitorojnë gjithashtu këto projekte sidomos, përsa i përket detyrimeve ligjore dhe financiare, të cilat shpesh ngarkojnë buxhetin e shtetit”, deklaroi Minxhozi.
Projektbuxheti i vitit 2026 u diskutua gjithashtu edhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike atë për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural si dhe Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. (A2 Televizion)
