
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi ditën e sotme emërimin e ish-kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtenshteinit, jo rezident.
Më herët për emrin e Dredhës si ambasador u arrit dakordësia e plotë mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Jashtëm parlamentar, shkruan A2 CNN.
Deputetët e vlerësuan vendimin e qeverisë për të dërguar në Zvicër një diplomat të këtij niveli, duke e cilësuar Dredhën si një nga emrat më të përgatitur në shërbimin e jashtëm shqiptar.
Kujtojmë se Dredha dha dorëheqjen nga Bashkia e Vlorës, pas disa përplasjeve me kryeministrin Edi Rama për mbarëvajtjen e punëve në qytet.
Para dorëheqjes së Dredhës, dhanë dorëheqjen të gjithë drejtorët e Bashkisë së Vlorës, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama. (A2 Televizion)
