Eksportet po “ngrenë kokë”. Për të tretin muaj me radhë, kompanitë shqiptare çuan më shumë produkte në tregjet e huaja në korrik. Nga pak më shumë se 33 miliardë lekë një vit më parë, muajin e shkuar në tregjet e huaja u shitën mallra që kushtuan 35.2 miliardë lekë.
Kontributin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë eksporti i naftës bruto të nxjerrë nga fushat e Patos-Marinzës që në korrik u zgjerua me 0.7 për qind. Me përjashtim të ushqimeve dhe produkteve kimike e plastike, të gjithë grupet e tjera të produkteve paraqiten në rënie duke konfirmuar se “kriza e eksporteve nuk ka marrë fund”.
“Nuk kemi të bëjmë me një kthesë. Kemi thjesht një grup produktesh, në këtë rast karburanti që ka shënuar zgjerim të konsiderueshëm e rrjedhimisht ka ndikuar në peshën totale. Por kriza e eksporteve vijon”, thotë për A2 CNN Zef Preçi, ekspert për ekonominë.
E kundërta ndodhi me importet muajin e shkuar. Pavarësisht shifrave në rritje të turistëve në shkuar u blenë nga jashtë mallra me vlerë 83.4 miliardë lekë. Në krahasim me korrikun e një viti më parë, rënia përllogaritet me 2 miliardë lekë.
“Kemi një krizë konsumi e cila pritet të bëhet edhe më e ashpër në vijim si pasojë e largimeve nga vendi. Turistët nuk po ndikojnë në zgjerimin e konsumit e rrjedhimisht n zgjerimin e konsumit e rrjedhimisht në nxitjen e prodhimit vendas apo importeve”, thotë Preçi.
Me eksportet që morën një kthesë të vogël dhe importet në rënie lehtë, bilanci tregtar u mbyll negativisht për vendin muajin e shkuar me 48 miliardë lekë deficit. “Vijojmë te kemi një bilanc aspak premtuar që rrezikon të na kthejë shumë pas në kohë me një deficit tregtar të theksuar”, thotë Preçi.
Muajin e shkuar Shqipëria eksportoi më shumë produkte drejt Kosovës, Greqisë dhe Gjermanisë. Nga ana tjetër, kompanitë shqiptare kanë çuar më pak produkte drejt Italisë dhe Maqedonisë së Veriut.
(A2 Televizion)