Censi dikton ndryshime te bashkitë, formulë e re për ndarjen e buxhetit dhe ndryshime në hartën territoriale

Nga Mario Brakaj
3 Korrik 2024, 16:38 | Ekonomi

Formulë e re për shpërndarjen e buxhetit dhe ndryshime në hartën territoriale. Rezultatet e Censit të popullsisë dhe banesave diktojnë ndryshme në drejtim të pushtetit vendor. Në 11 qarqe popullsia rezultoi në rënie, ndërsa 15 bashki numërojnë aktualisht nga më pak se 10 mijë banorë.

“Kjo rrudhje e popullsisë, kjo mungesë thuajse në të gjitha bashkitë veç Tiranës mendoj se ka nevojë për një formulë të re të ndarjes së transfertës së pakushtëzuar. Është tregues i fortë, është tregues i mjaftueshëm për të ndërmarrë ndryshime në hartën territoriale. Por jo domosdoshmërisht kjo duhet të çojë në rrudhje të numrit të njësive të qeverisjes vendore”, tha Haxhimali.

Sipas ligjit për “Vetëqeverisjen vendore” gati 80 për qind e fondit që iu shpërndahet bashkive llogaritet mbi numrin e popullsisë.

“Megjithatë unë do kërkoja që rregulli “1% e PBB i shkon pushtetit vendor” të mos ndryshojë. Për ata banorë që kanë mbetur duhet vëmendje. Ndryshe me pakësimin e fondeve rrezikojmë që të kemi sërish emigrim dhe më shumë shpopullim”, shtoi Haxhimali.

Për këtë vit transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave.

Në formulën e re të ndarjes së buxhetit që qeveria po diskuton, pritet të përfshihet edhe dhënia e granteve në bazë të performancës së bashkisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos