Pakësimi i popullsisë i ka bërë shqiptarët më të pasur e më borxhlinj

Nga Marjo Brakaj
3 Korrik 2024, 15:31 | Ekonomi

Çdo shqiptar, pavarësisht moshës e gjinisë ka sot 567 mijë lekë borxhe. Në krahasim me vitin 2022, detyrimet për frymë si pasojë e huave që qeveria ka marrë kanë zgjeruar me 197 mijë lekë apo 25.8 për qind. Kjo si pasojë e mpakjes së popullsisë me 420 mijë banorë. Pesha e madhe e borxhit duhet tashmë të shpërndahet mbi supet e më pak shqiptarëve.

“Në qoftë se llogarisim këtu edhe borxhet e fshehura në kontratat e fshehura apo marrëveshje të ndryshme barra mbi çdo shqiptar është edhe më e lartë. Kjo paralajmëron rritje taksash në nivel qendror e vendor me qëllim shlyerjen e këtyre detyrimeve,” shprehet Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Nga ana tjetër, pakësimi i popullsisë si pasojë e emigrimit dhe rënies së lindjeve ka bërë që objektivi i qeverisë për “të ardhura për frymë 10 mijë dollarë” të arrihet edhe më herët se viti 2030.

Tashmë me prodhim të brendshëm bruto rreth 2.4 trilionë lekë dhe popullsi 4.2 milionë, secilit shqiptar i takojnë 962 mijë lekë të ardhura për frymë nga 765 mijë në vitin 2022.

“Situata, në dukje prezantohet kështu: pakësimi i popullsisë, por edhe rritja e të ardhurave kanë ndikuar në rritjen e PBB për frymë. Megjithatë kjo nuk është e shëndetshme, pasi kemi më pak njerëz.”

Me gjithë rritjen, një shqiptar sot nga gati 5 herë më pak të ardhura për frymë se një europian. Në “union”, niveli i të ardhurave për frymë përllogaritet në gati 46 mijë euro nga më pak se 10 mijë në Shqipëri.

“Me gjithë rritjen e pagës mesatare, Shqipëria mbetet ende larg. Ky është një objektiv i shumë qeverive që duket ende shumë larg për t’u arrirë.”

Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shqiptarët duhet të presin edhe 70 vite të tjera për të për të arritur cilësinë e jetesës së popujve europianë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos