Cilësia, "çelësi" që hap dyert, prodhuesit shqiptarë drejt tregut të bashkimit

Nga Marjo Brakaj
11 Nëntor 2025, 18:43 | Ekonomi

Siguria ushqimore është testi i radhës që Shqipëria duhet të kalojë... kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian. Me Komisionin Evropian që nuk dha një notë kaluese në raportin e fundit të progresit, përpjekjet për të kaluar testin bëhen edhe më të nevojshme.

“Gjurmimi është ura digjitale që lidh fermerin shqiptar me konsumatorin europian, është pasaporta e panegociueshme që hap dyert në tregun unik europian. Kjo pasaportë, na jep një zë, që të tregojmë historinë e origjinës, cilësinë dhe qëndrueshmërinë tonë. Sot po kalojmë nga politika në zbatim dhe angazhimi ynë është konkret, po punojmë për digjitalizimin e proceseve të verifikimit të produkteve shqiptare”, tha Andis Salla, Ministër i Bujqësisë.

Për këtë qëllim, u zhvillua Forumi i 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, i organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial në bashkëpunim me Këshillin Shqiptar të Agrobiznesit, mblodhi aktorë kyç për të avancuar rolin e cilësisë si një faktor strategjik për suksesin në eksport dhe integrimin në BE.

“Procesi i hapjes së negociatave është një mundësi që vjen me detyra shtëpie për tu bërë. Zvicra është krenare që të jetë një partner i besueshëm dhe afatgjatë i Shqipërisë drejt integrimit në BE. Cilësia dhe standardet janë në zemër të detyrimeve që vijnë nga zhvillimi i tregut dhe lëvizja e lirë e mallrave. Janë më shumë se kërkesa teknike. Ato përbëjnë thelbin e besimit midis prodhuesve shqiptarë dhe konsumatorëve të BE-së. Prandaj ne theksojmë nevojën për të integruar infrastrukturën e standardeve dhe cilësisë në organizatat ndërkombëtare dhe duke iu përshtatur dhe legjislacionit të BE”, u shpreh Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri.

“Cilësia është një gur themeli i ambicieve ekonomike të Shqipërisë dhe Rrugëtimit të saj drejt BE. Duke forcuar një kulturë të cilësisë në të gjitha industritë, nga proceset e prodhimit, te shërbimet dhe qeverisa, Shqipëria ka të gjithë potencialin që të rrisë konkurrueshmërinë, të mbrojë konsumatorët, të ndërtojë më shumë besim në produktet e saj, brenda dhe jashtë vendit. Përmbushja e pritshmërive europiane për cilësinë nuk është më një luks, është një domosdoshmëri, për të zgjeruar eksportet, për të tërhequr investimet dhe për të mbështetur inovacionin”, theksoi koordinatorja Kombëtare e UNIDO&GQSP në Shqipëri, Elvana Zhezha.

Një master i dedikuar për standardet dhe cilësinë tashmë do të ofrohet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, si një kontribut për të forcuar infrastrukturën në  këtë sektor.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me UNIDO është në fazën përfundimtare të dizenjimit të një programi të ri master shkencor me standardet dhe sistemet e cilësisë. Ky program përfaqëson një hap strategjik në zgjerimin e fushës së kompetencave për universitetin bujqësor, duke ofruar një platformë akademike të nivelit më të lartë për formimin e profesionistëve të rinj në fushën e menaxhimit të cilësisë, përputhshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, deklaroi Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Shqipëria po ndërmerr një hap vendimtar drejt forcimit të konkurrueshmërisë dhe përgatitjes së agrobizneseve për rritje të qëndrueshme drejt tregut evropian dhe atij global si dhe përmbushjen e ambicies për të arritur në nivelin e 1 miliardë eurove eksporte deri në vitin 2030.

“Zgjidhja e problemeve dhe vështirësitë që ndeshim për cilësinë, sigurinë e konsumatorit dhe standardet, kapërcehen më lehtë, duke punuar së bashku, të mirëkoordinuar, sektori publik me atë privat, me objektiva të qarta, me synim Shqipërinë , anëtare të BE në 2030”, u shpreh Agim Rrapaj, Kryetar i KASH.

I zhvilluar paralelisht me Kongresin e 5-të të KASH-it, Forumi bashkoi prodhues, shoqata, institucione dhe partnerë zhvillimi për të trajtuar rëndësinë jetike të standardeve dhe cilësisë që duhet të përmbushin produktet shqiptare, në mënyrë që të konkurrojnë në kushte të barabarta në Tregun e Vetëm të BE-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos