Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar hartën e plazheve të bregdetit shqiptar, duke i vlerësuar ato sipas cilësisë së tyre. Në raportin vjetor të 2023 sa i përket ujërave bregdetar është kryer monitorimi në 123 stacione, para sezonit të larjes dhe pas sezonit. Të cilat përfshijnë zonat bregdetare si Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Velipojë, Dhërmi, Himarë, Borsh, Lukovë, Ksamil dhe Zvërnec. Duke i klasifikuar nga ata me cilësi të shkëlqyer deri tek plazhet të cilat duhen marrë masa të menjëhershme, shkruan A2 CNN.
Nga harta e publikuar mbi monitorimin e plazheve në 123 stacione, bie në sy fakti se janë 34 plazhe me cilësi të shumë të mirë, 40 me cilësi të mirë, 15 cilësi e mjaftueshme por dhe 34 me cilësi të keqe.
AGJENCIA KOMBËTARE E MJEDISIT
Ajo çfarë vihet re është se ujërat e plazheve nga viti në vit janë përkeqësuar edhe në ato zona të cilat kanë mbajtur kampionin ndër vite. Plazhet me ujëra larëse të cilësisë së shkëlqyer janë përgjysmuar në 2023. Ndërsa janë trefishuar ata të cilësisë së keqe.
Por cilat plazhe janë të rrezikshëm për t’u larë dhe cilët ujëra mund t’i frekuentojmë pa problem? Ujërat larës në zonën e Durrësit kanë edhe përkeqësimin më të lartë.
Plazhet e Durrësit për vitin 2023, sipas rezultateve bakteriologjike vlerësohen: të kategorisë së Cilësisë së mirë në 7 pika monitorimi, të Kategorisë së mjaftueshme për 3 pika monitorimi, dhe të Cilësisë së keqe në 11 pika monitorimi.
AGJENCIA KOMBËTARE E MJEDISIT
Pranë Gjirit të Lalzit, vetëm 40% e ujërave janë të cilësisë së shkëlqyer. Ndërsa në 55.5% e plazheve janë të cilësisë së keqe. Në Pogradec 50% e ujërave larës janë të cilësisë së keqe.
Shëngjini në 5 zona të monitoruara, 3 rezultuan me cilësi të keqe. Në Tale ujërat janë të cilësisë së mirë dhe të mjaftueshme.
Në plazhin e Qerretit dhe Spillesë ujërat janë 100% të cilësisë së keqe për të cilat duhen marrë masa të menjëhershme. Të cilat janë përkeqësuar krahasuar nga 1 vit më parë.
Ndalur në plazhin e Semanit, Divjkaës, Darëzezës ujërat janë kryesisht të cilësisë së mirë dhe të shkëlqyer dhe 14% të cilësisë së mjaftueshme.
Zonat me cilësinë më të lartë të ujërave larës janë kryesisht në jug të vendit duke përfshirë plazhin e Zvërnecit, Palasës, Jalës, Livadhes, Qeparoit, Borshit, Lukovës dhe pjesërisht Himara dhe Ksamili.
Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të këtyre ujërave.
AGJENCIA KOMBËTARE E MJEDISIT
Agjencia Kombëtare e Mjedisit thekson se në të gjithë Shqipërinë krahasuar me një vit më parë ujërat kanë ulur cilësinë e tyre. Teksa këshillon marrjen e masave të menjëhershme për zonat me rrezikshmëri të lartë bakteriale. (A2 Televizion)