Parada në Kinë tregoi që po përvijohet një aleancë e re pas asaj të NATO-s të krijuar në 1947. Kështu e shikon gjenerali Dedë Prenga paradën madhështore që u zhvillua në Kinë në prani edhe të liderëve të Rusisë, Koresë së Veriut dhe Indisë. Në “Çdo kënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN ai tha se në këtë paradë Kina u shfaq si një pol i tretë.
“Pas 10 vitesh në këtë paradë ndryshe kina nuk vinte se pjesë e historisë së botës por si një pol i ri që është krijuar dhe ka filluar të krijohet që me rënien e perdes së hekurt me hapa të sigurt. Aq më tepër kur ka thirrur dhe bashkëpunon me Rusinë, Korenë e Veriut dhe Iranin. Përballë një aleance të krijuar në 1947, por përvijohet një aleancë e re, këtë e tregoi dhe ky samit që u finalizua me një paradë madhështore. Kjo ishte gjithçka që botës perëndimore i tregoi se çfarë është Kina e aftë të bëjë. Dhe është normale për sa kohë ka një pol tjetër të krijuar përballë saj. Ky është rendi i ri botëror”.
Por ndryshe mendon analisti Medlir Mema, i cili thotë se nuk ka rend të ri botëror. Në A2 CNN ai u shpreh se cilësia e armatimit kinez është shumë pas atij amerikan.
“Së pari na serviret një imazh i Kinës, cilësia e amratimit kinez është shumë pas atij amerikan dhe rus. Në lidhje me rendin botëror jemi akoma në atë rend boëtror të ndërtuar pas 1945. Atë që Kina do të donte të bënte është ta sfidonte atë dhe të propozonte një mënyrë të re të ndërtuar në bazë të sovranitetit dhe jo mbi institucionet ligjore që janë esenca e rendit botëror të ndërtuar nga perëndimi”.
Sipas Memës, humbësi më i madh në këtë paradë ishte presidenti rus Vladimir Putin.
“Duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për rend të ri botëror, se ato vende që janë aty sot kanë më shumë probleme me njëri-tjetrin se me perëndimin problemi më i madh i Rusisë nuk është perëndimi, por Kina. Nëse ka një humbës aty është Putin që ishte në Alaska ku iu tregua arsenali amerikan dhe dy javë më pas ai kinez. Rusa ka qenë satelit, aneks i Kinës”.
Ndërsa analisti Emilio Çika theksoi se Kina është i vetmi shtet që mund të rivalizojë SHBA-në dhe kërkon të faktorizohet si fuqi rajonale.
“Kina është shteti i vetëm që mund të rivalizojë SHBA-në, por jo momentalisht. Atë që kërkon është të faktorizohet si fuqi rajonale që të kontrollojë Azinë Qendrore e Juglindore dhe duke hedhur bazat për shtrirje globale. Kina ka avancuar shumë. Duhen parë edhe kapacitete ekonomike”.
Edhe analisti Ilir Kalemaj e sheh paradën e Kinës si një shfaqje force për të dërguar mesazh në SHBA.
“Ishte një shfaqje force e përpjekje për revizionim të rendit botëror. Ishte një paradë që bëhej në një kontekst gjeopolitik për të demonstruar kapacitetin ushtarak e teknologjik të Kinës dhe lidershipi në konceptin kinez të botës së tretë. Kina presupozon të jetë drejtuese e grupit. Për të dërguar një mesazh në Uashington”.
(A2 Televizion)