Një seri vdekjesh të pazakonta kanë tronditur opinionin publik në Gjermani, pasi 16 kandidatë për zgjedhjet lokale në shtetin më të madh gjerman, North Rhine-Westphalia, kanë ndërruar jetë përpara se të realizohet votimi. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i zgjedhjeve në këtë land, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me teori konspirative, sidomos pasi 7 nga të ndjerët ishin kandidatë të partisë së djathtë AfD.
AfD, e cila ka shënuar rritje të ndjeshme në popullaritet vitet e fundit, ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për shkak të deklaratave të bashkëkryetares Alice Weidel, e cila ndau në rrjetet sociale pretendimet e ekonomistit në pension Stefan Homburg, se "një numër kaq i madh vdekjesh është statistikisht pothuajse i pamundur".
Megjithatë, policia gjermane ka përjashtuar çfarëdo shenje të vdekjes së dhunshme apo ndonjë ndërhyrje të jashtme, të paktën në katër rastet e para të raportuara.
Vdekjet kanë ndikuar edhe në procesin zgjedhor, pasi legjislacioni lejon mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në rast se ndonjë kandidat ndërron jetë përpara votimeve. Këto zgjedhje mund të zhvillohen edhe të njëjtën ditë me zgjedhjet kryesore.
Në total, mbi 20,000 kandidatë janë regjistruar për zgjedhjet lokale në këtë land me një popullsi prej 18 milionë banorësh. Në zgjedhjet e fundit, AfD mori vetëm 5.4% të votave në këtë rajon, por në zgjedhjet federale të vitit të kaluar, ajo arriti të fitojë 16.8%, duke sinjalizuar një ngritje të fortë.
Deklaratat e Elon Musk, i cili shprehu mbështetje të hapur për AfD-në duke thënë “ose Gjermania voton për AfD, ose është fundi i Gjermanisë”, kanë ndezur më tej debatin publik.
Ndërkohë, AfD është klasifikuar zyrtarisht si një entitet ekstremist nga agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, BfV. Kjo i lejon autoriteteve të vendosin nën mbikëqyrje më të rreptë partinë, përfshirë edhe përgjimin e komunikimeve dhe infiltrimin me informatorë të fshehtë.
Në një raport të brendshëm prej 1,000 faqesh, BfV akuzon partinë për shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminim ndaj grupeve të caktuara etnike, duke synuar krijimin e një shoqërie ku disa kategori qytetarësh trajtohen si më pak të vlefshëm.
Ministrja e Brendshme Nancy Faeser theksoi se “AfD përfaqëson një koncept etnik që diskriminon grupe të tëra të popullsisë dhe i trajton qytetarët me histori migrimi si gjermanë të dorës së dytë”. Por, ajo mohoi çdo ndikim politik në përfundimet e BfV. (A2 Televizion)