Kosova thyhet në Bazel, Zvicra luan vetëm 45 minuta

Nga A2 CNN
5 Shtator 2025, 22:46 | Futboll

Kosova thyhet në Bazel, Zvicra luan vetëm 45 minuta

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar një humbje të thellë prej 4-0 ndaj Zvicrës, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, e zhvilluar në qytetin e Bazelit.

Që nga fillimi i takimit, Zvicra e dominoi ndeshjen si në posedim ashtu edhe në krijimin e rasteve të rrezikshme. Epërsia u vendos në minutën e 22-të kur mbrojtësi Manuel Akanji realizoi me kokë pas një goditje nga këndi, duke kaluar vendasit në avantazh.

Vetëm tre minuta më vonë, në të 25-ën, Breel Embolo dyfishoi shifrat pas një asistimi nga Dan Ndoye, duke e vendosur Kosovën në një pozitë të vështirë.

Dominimi i helvetikëve vazhdoi edhe më tej, dhe në minutën e 39-të, Silvan Widmer shtoi golin e tretë për Zvicrën, duke përfituar nga një tjetër pasiguri në mbrojtjen e Kosovës.

Turpi për ‘Dardanët’ u vulos në sekondat e fundit të pjesës së parë, kur Breel Embolo realizoi golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për skuadrën zvicerane, duke e çuar rezultatin në 4-0 para pushimit.

Në pjesën e dytë, Zvicra uli ritmin dhe menaxhoi rezultatin, ndërsa Kosova, edhe pse kreu disa zëvendësime, nuk arriti të bëjë ndonjë ndryshim domethënës në lojë apo në rezultat.

Pas kësaj disfate të rëndë, Kosova do të përpiqet ta lërë pas këtë ndeshje dhe të rikthehet më e përqendruar në sfidën e radhës, ku më 8 shtator në ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Suedinë, në një tjetër ndeshje të vështirë kualifikuese.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos