“Me bukë me vete në restorante”, turistët nxitën pesimizmin te sektori i shërbimeve

Nga Marinela Lina
2 Shtator 2024, 15:50 | Ekonomi

I konsideruar një nga motorët kryesorë të ekonomisë, turizmi i dha një hov një sërë sektorëve të ekonomisë shqiptarëve, por për disa të tjerë nuk ishte aq premtues. Treguesi i ndjesisë ekonomike, matës që Banka e Shqipërisë e përdor për të analizuar ecurinë aktuale, rezultoi me rritje për muajin gusht.

Për shkak të ecurisë aktuale të biznesit, kontratave porositëse, por dhe prodhimit sektorët si industria, tregtia por dhe ndërtimi rritën besimin në ekonomi.

Ndërsa më pesimist është shfaqur sektori i shërbimeve. Ndonëse në gjysmën e parë të vitit Shqipërinë e vizituan 6.3 milionë të huaj, bizneset e sektorit të shërbimeve janë shprehur të pakënaqur, raporton A2.

“Problemi nis që me bizneset të cilat vepruan pa menduar për të rritur çmimet por nga ana tjetër edhe ata të huaj që kanë vizituar Shqipërinë nuk kanë qenë me qëllimin për të shpenzuar për pushime. Kemi hasur edhe turistë të cilët në restorante janë paraqitur me bukë me vete dhe kanë konsumuar disa pije se çfarë na intereson në fund janë sesa shpenzojnë këta turistë jo pse erdhën në Shqipëri”, tha Kujtim Dervishi për A2.

Nga ana tjetër konsumatorët në vend vet janë shprehur më optimist për gjendjen aktuale por dhe të ardhmen në anketën e zhvilluar nga Banka e Shqipërisë.

Treguesi për këtë sektor u rrit me 1.2% në muajin gusht, shkruan A2. Por pavarësisht situatës qytetarët kundërshtojnë shifrat.

“U rrisin pagat deputetëve dhe si qytetarët por dhe pensionistët i lënë keq.”

“Mua nuk me del pensioni as të blejë ilaçet më kushtojnë shumë.”

“Lekët ikin qira ujë, drita, bukë, nuk na ngelet gjë çfarë të shpresojmë për mirë.”

Për qytetarët nuk pritet të ketë një rënie të çmimeve pasi prirjet e bizneseve janë për një rritje të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos