Deri më 30 shtator, hapet skema e investimeve në bujqësi, 20 milionë euro mbështetje

Nga Marjo Brakaj
31 Korrik 2025, 16:35 | Ekonomi

Për sezonin e dytë të mbjellave bujqit do të kenë ca para të tjera në dispozicion. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve për fermerët. Ndryshe nga ajo skema tradicionale në Bujqësi dhe Blegtori, fondi prej rreth 200 milionë lekësh do të shpërndahet për ndërtimin e serave të mbrojtura nga breshri, por pas nuk do mbeten as investimet edhe për blegtorinë.

“Faktikisht ne e diskutuam edhe para 4 muajsh që Skema Kombëtare  Bujqësisë dhe Blegtorisë ishte e pamjaftueshme. Ndaj do të ishte optimale që të vijohej me të njëjtën skemë mbështetëse si ajo e para. Kjo me qëllim vijimin e aktivitetit bujqësor”, thotë për A2 CNN Esmeralda Ballesha, eksperte e sektorit bujqësor.

Me programin IPARD të Bashkimit Europian të pezulluar, fermerëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në sektorin bujqësor do iu vihet në ndihmë me një fond gjysmën e vlerës së financimit. “Sigurisht ka nevoja të jashtëzakonshme dhe në investim. Si në përpunim, paketim pa transport. Ideja është në mungesë të fondeve IPARD apo fondeve alternative, fermerët shqiptarë janë në një ngushticë të madhe në drejtim të financimit”, thotë Ballesha.

Ekspertë të sektorit e shohin me skepticizëm përthithjen e parave në garancinë sovrane për shkak të shkallës së lartë të informalitetit dhe problemeve të tjera në sektor. “Do të mund të marrin vetëm një numër i kufizuar fermerësh dhe ajo nuk do të mund të zgjidhë hallet e vërteta të sektorit”, thotë Ballesha.

Skema kombëtare e investimeve është në mbështetje të skemës kombëtare të bujqësisë që aplikohet çdo vit si dhe garancisë sovrane të ofruar për herë të parë nga qeveria për sektorin bujqësor, për të marrë kredi me normë interes 2 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos