Do përdoret për investime e shlyer borxhet, merret eurobondi 650 mln euro me interes 5%

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2025, 18:36 | Ekonomi

Do përdoret për investime e shlyer borxhet, merret eurobondi 650 mln

Qeveria ka arritur të marrë eurobondin 650 milionë euro në bursën angleze me normë interesi 5 për qind. Ministria e Financave sqaron se borxhi i marrë duhet të shlyhet për 10 vite, pasi maturohet në 2035-ën.

Norma fillestare e eurobondit ka qenë 5.5 për qind thotë Ministria e Financave por për shkak të ofertës më të lartë se kërkesa pasi ishin 195 investitorë të interesuar për këtë emetim edhe norma e interesit është ulur.

“Ministria e Financave, vlerëson se emetimi i Eurobondit ka një rëndësi të veçantë, jo thjesht vetëm për sigurimin e likuiditetit, por edhe sepse siguron prezencën e vendit tonë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe mat besimin e investitorëve në obligacionet e emetuara nga shteti shqiptar. Kjo nënkupton kredibilitetit afatgjatë të ekonomisë shqiptare në tërësi dhe financave publike në veçanti”.

Ndikim në rritjen e imazhit të Shqipërisë përpara investitorëve të huaj ministria e thotë se ka pasur përmirësimi i vlerësimeve ndërkombëtare për ekonominë, për menaxhimin e borxheve por edhe përparimi i vendit drejt integrimit në BE.

“Raporti i mbulimit ndër më të lartët të arritur, prej 4.3 herë dhe më i larti ndër emetimet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që nga tetori 2024”.

Ky është eurobondi i shtatë që Shqipëria merr në tregjet e huaja pasi prej vitit 2010 vendi ka marrë 3.8 miliardë euro në tregun e huaj. Deri më tani vlera e Eurobondeve shkon në 3.15 miliardë euro.

Të dhënat nga “financat” tregojnë se aktualisht në portofolin e borxhit shtetëror janë 4 Eurobonde në vlerën totale prej 2.4 miliardë euro apo rreth 255 miliardë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos