Të thuash “të dua” me lule dhe dhurata kushton po kushton më shumë përherë e çdo vit që kalon. Për një pjesë të madhe, çmimet janë shtuar si arsye për të zgjedhur të mos festojnë Shën Valentinin. Por, për të tjerët, situata ekonomike nuk e ka zbehur atmosferën, siç tregojnë edhe luleshitësit që nuk prisnin kaq shumë porosi, veçanërisht nga emigrantët.
“Kemi porosi nga Italia, Gjermania, Anglia që janë bërë 2-3 javë më parë për Shën Valentin. Kryesisht janë djem e burra ata që porosisin. Vajzat disi më pak. Kemi edhe që vijnë fizikisht si çift. Trëndafili dhe tulipani janë për të preferuarat”, tha për A2 CNN, shitësja në një dyqan lulesh, Luljeta Bregu.
Sipas të dhënave nga tregu dhe nga Instituti i Statistikave, krahasuar me Shën Valentinin e kaluar, çokollatat janë shtrenjtuar me 15për qind, trëndafilat me 20 për qind, bizhuteritë me 5për qind, ndërsa darkat në restorante dhe udhëtimet me përkatësisht 5,2 për qind dhe 5,3 për qind, raporton A2.
Bizneset janë përpjekur të shtrëngojnë marzhet e fitimit për të mos dekurajuar blerësit, ndërsa këta të fundit zgjedhin të kursejnë aty ku munden.
“Përpiqemi të mos i rrisim shumë çmimet se ndryshe do të kemi rënie të blerjeve. Më mirë një çmim pak më i ulët dhe të kemi shitje se t’i mbajmë aty. trëndafilat përgjithësisht vijë nga Holanda. Kemi edhe prodhim vendas, por shumë pak.”
Në krahasim me vitin e kaluar, argjendaritë deklarojnë se klientët po tërhiqen më shumë drejt argjendit se sa arit, ndërsa ata klientë që zgjedhin gurët e çmuar, po preferojnë përmasat më të vogla. (A2 Televizion)