Pas asaj turke “Ziraat”, tregut shqiptar do i bashkohet edhe “JET Bank” me kapital izraelito-britanik. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i dha “dritën jeshile” për licencimin paraprak të saj. Ndryshe nga deri më tani, “JET Bank” do të jetë tërësisht digjitale.
“Një bankë digjitale nuk është thjesht një aplikacion. Ajo është një infrastrukturë e tërë teknologjike që garanton sigurinë, shpejtësinë dhe aksesin e qytetarëve në shërbimet financiare kudo dhe në çdo moment. Pyetja kryesore është: nga ndryshon nga bankat tradicionale? Ndryshe nga bankat klasike, një bankë digjitale funksionon pa personel fizik dhe çdo proces kryhet online. Kjo qasje rrit transparencën, ul kostot operacionale dhe u ofron klientëve një përvojë shumë më efikase”, tha për A2 CNN eksperti i IT, Erion Demiri.
Zgjerimi i tregut bankar aktual me një bankë si “Jet” do të nxisë edhe më tepër konkurrueshmërinë ndërmjet aktorëve të këtij tregu, e cila mund të përkthehet në ulje të ndjeshme të kostove dhe tarifave të transaksioneve.
Po a është gati Shqipëria për një bankë tërësisht digjitale?
“Mendoj se nuk jemi ende gati për bankat digjitale. Teknologjia është në dispozicion, por sfidat janë të shumta. Së pari, siguria kibernetike nuk është ende në nivelin që kërkon një infrastrukturë plotësisht digjitale; çdo dobësi mund të rrezikojë paratë dhe të dhënat e qytetarëve. Së dyti, edukimi digjital i përdoruesve është ende i kufizuar. Shumë njerëz nuk janë të familjarizuar me mënyrat e reja të bankimit online dhe kanë nevojë për udhëzime dhe mbështetje për t’i përdorur ato me besim”, shtoi Demiri.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, JET Bank synon të jetë banka e parë në Shqipëri që operon në mënyrë tërësisht digjitale, duke kombinuar një teknologji të avancuar me një model të thjeshtë, të sigurt dhe të përqendruar te klienti. Misioni i saj është të prezantojë një model të ri shërbimi financiar, të ndryshëm nga modelet tradicionale bankare.
Po sa e sigurt është ajo në drejti të sigurisë kibernetike?
“Bankat digjitale përdorin teknologji shumë të avancuar për të mbrojtur të dhënat dhe fondet e klientëve, përfshirë enkriptimin, sisteme të forta identifikimi dhe monitorim të vazhdueshëm të aktiviteteve. Megjithatë, asnjë sistem nuk është 100% i paprekshëm. Siguria varet jo vetëm nga teknologjia, por edhe nga edukimi i përdoruesve dhe respektimi i praktikave të mira të sigurisë online. Kështu që, ndërsa bankat digjitale janë shumë të mbrojtura, duhet gjithmonë të jemi vigjilentë ndaj sulmeve kibernetike”, nënvizoi eksperti IT.
Duke filluar nga viti 2015, tregu bankar shqiptar ka hyrë në një cikël përqendrimi, që solli uljen e numrit të bankave tregtare nga 16 në 11 të tilla. Me përjashtim të Bankës së Kreditit të Shqipërisë, që doli nga tregu nëpërmjet likuidimit, zvogëlimi i numrit të bankave ka ardhur nëpërmjet blerjes dhe përthithjes nga bankat konkurrente në treg. (A2 Televizion)