“Ndodheni në një moment vendimtar”, Suedia dhe UNDP po ndihmojnë bizneset shqiptare në rrugën drejt BE

Nga Marjo Brakaj
4 Dhjetor 2025, 15:05 | Ekonomi

Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj drejt integrimit evropian. Me të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian tashmë të hapur, qëndrueshmëria, tranzicioni i gjelbër dhe praktikat e përgjegjshme të biznesit janë bërë parakushte kyçe për konkurrencën në tregun evropian.

“Kompanitë duhet të përqafojnë edhe standardet mjedisore, sociale dhe ato të qeverisjes, me qëllim tërheqjen e investimeve dhe talenteve të reja. Kompanitë po përmirësojnë standardet e tyre. Duhet pasur parasysh se 80 për qind e investitorëve të huaj e konsiderojnë tejet të rëndësishëm kushtin e rritjes ekonomike të qëndrueshme për Shqipërinë”, tha Randi Davis, përfaqësuese e Përhershme e UNDP në Shqipëri.

Integrimi në BE kërkon më shumë se vullnet politik, kërkon reforma të thella dhe veprim konkret, shkruan A2 CNN. Shqipëria përballet me sfida reale si emigracioni dhe konkurrenca në treg. Mbështetja nga partnerë si Suedia është aty.

“Shqipëria është në një udhëkryq historik dhe qeveria ka një ambicie të rëndësishme: të mbyllë negociatat në vitin 2027 dhe që deri në vitin 2030 Shqipëria të bëhet vend anëtar i plotë i BE-së. Është një moment transformues për vendin dhe Suedia është partneri në këtë udhëtim drejt BE-së. Synimet në drejtim të rritjes së qëndrueshme ekonomike janë ambicioze dhe kërkojnë reforma për të shkuar drejt prosperitetit, por duke mbrojtur planetin”, tha Niklas Strom, Ambasadori i Suedisë në Shqipëri.

Nga konferenca për biznesit drejt vizionit 2030 me titull “Një e Ardhme e Qëndrueshme Made in Albania”, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj pranoi se tani ani është radha e institucioneve dhe bizneseve shqiptare të ecin me ritëm dhe seriozitet.

“Kemi nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse ku ne të analizojmë çdo sektor e nënsektor, të kuptojmë nevojat që kanë. Qoftë në nivel të nevojës së investimeve për modernizimin e proceseve të prodhimit me qëllim rritjen e standardeve, qoftë në të gjithë përbërjen e zinxhirit të vlerës që do të krijohet në Shqipëri”, tha ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Konferenca e organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri në partneritet me Ambasadën e Suedisë mblodhi së bashku përfaqësues të qeverisë, drejtues të biznesit, investitorë, partnerë zhvillimi, akademikë dhe inovatorë të rinj për të diskutuar se si sektori privat shqiptar mund të shfrytëzojë mundësitë që ofron tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos