"Duhet ndryshuar modeli!" Rritja ekonomike e Shqipërisë as sasiore e as cilësore

Nga Marjo Brakaj
24 Dhjetor 2025, 16:30 | Ekonomi

As në sasi e aq më pak në cilësi...rritja ekonomike e vendit nuk po kënaq asnjë nga kushtet. Me Prodhimin e Brendshëm Bruto që po zgjerohet poshtë nivelit 4 për qind nga njëra anë dhe faktin që rritja po mbështet vetëm në pak sektorë nga tjetra... vendin e presin ditë të vështira përpara.

“Tashmë kërkohet ajo që njihet si “rritje ekonomike cilësore.” rritje ekonomike cilësore do të thotë që kontributi në rritjen ekonomike të vijë nga sektorë me performancë të lartë siç janë sektorët industrialë me teknologji moderne, ato financiare bankare, industria etj”, u shpreh Civici.

Shqipëria duhet të tejkalojë veten, të paktën në një drejtim... atë të modelit ekonomik. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se së paku deri në 2029-n, rritja nuk do e kalojë nivelin 3.5 për qind.

Me vendin që për shkak të politikave të ndjekura rrezikon të ndërtojë mbi kokën e vetë një tavan që nuk e lejon të rritet më shumë, ka shumë pak vend për optimizëm për më shumë mirëqenie. 

"Duhet ndryshuar modeli!" Rritja ekonomike e Shqipërisë as

“Shqipëria, bashkë me vendet e tera në zhvillim duhet që të ketë rritje ekonomike në të paktën 5.8 për qind për të dhënë impuls te pagat dhe standardi i jetesës”, theksoi Civici.

Më optimiste janë pritshmëritë në drejti të çmimeve. Pas gati 3 vitesh krizë, inflacioni sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar do të qëndrojë brenda objektivave të dëshiruar në 5 vitet e ardhshme.

Po edhe ky skenar rrezikohet nga zhvillimet që po ndodhin në botë.

 “Një përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme do të përsëriste atë që ndodhi pas konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë. Destabilizim tregjesh dhe rikthim të valëve të inflacionit në gjithë botën, përfshirë Shqipërinë”, shtoi Civici.

Sipas Bankës Botërore, me një rritje ekonomike prej mesatarisht 4 për qind, Shqipërisë do t’i duhen rreth 36 vite që të arrijë mesataren e të ardhurave mesatare për frymë të vendeve të BE-së. Ndërkohë nëse do të ndiqet kjo ecuri e shënuar deri në gjysmën e parë të vitit, vendit do t’i duhen më shumë se katër dekada për të arritur këtë objektiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos