
Qeveria ka rishikuar sërish buxhetin shtetit të këtij viti. Në shpërblimet e fundvitit janë përshirë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomie dhe personat me aftësi ndryshe.
Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit, do të jetë 15 mijë lekë apo rreth 150 euro. Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148,500 qytetarë me një fond total prej 2.2 miliardë lekë.
Me vendim të Këshillit të Ministrave është vendosur që paratë e pashpenzuar nga institucionet publike do të kalojnë automatikisht në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
"Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, vlerësohet se shuma që minimalisht do të kalojë në këtë llogari do të jetë në masën 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve të cilën kjo qeveri tashmë e ka nisur.”
Me fermerët që presin ende këstin e dytë, qeveria i ka dhënë 2 miliardë lekë shtesë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të shlyer pagesat në kuadër të Skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori.
“Shëndetësia është një tjetër sektor që do të mbështetet nëpërmjet këtij Akti Normativ ku do të përfitojë 18 milionë euro shtesë, mbështetje për ilaçe në spitale. Edhe pushteti vendor do të përfitojë nëpërmjet këtij A kti Normativ duke u mbështetur me rreth 1.2 miliardë lekë shtesë, fonde të cilat do të përdoren për të shlyer detyrimet më të vjetra të parapambetura. Në total, vlera që po i alokojmë pushtetit vendor është e barazvlefshme me rreth 40% të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki.”
Kjo është hera e katërt që rishikohet buxheti i shtetit për këtë vit, pas ndryshimeve që pësoi në tetor ku u caktuan fondet për shpërblimin e fundvitit për pensionistët 10 mijë lekë për ata që marrin mbi 20 mijë lekë pension në muaj, dhe 15 mijë lekë për ata që marrin nën 20 mijë lekë në muaj. (A2 Televizion)