
“Dyfisho ndërmarrjen tënde”... Është kjo formula e re me atë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Nisma synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zgjerimin e aktivitetit të tyre.
“Pikërisht këtë po bën qeveria me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë. Kemi pasur një takim shumë të dobishëm pak ditë më parë, gjatë javës që lamë pas, dhe kemi dakordësuar që brenda një muaji, pra në fillim të muajit maj, do të bëjmë edhe shpalljen e programit, me firmosjen ceremoniale të të gjitha marrëveshjeve të nevojshme, për t’i vënë në dispozicion të gjithë atyre që duan të rriten një garanci dhe një financë që të çojë në dyfishimin e ndërmarrjes së tyre”, tha Petrit Malaj, Ministër i Financave.
Bashkë me aktin normativ që ndryshon buxhetin për të vënë ca para në dispozicion të nismës “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, Ministria e Financave mund të hartojë edhe një paketë ndihme për shtesat më në nevojë si pasojë e rritjes së çmime. Por kjo pritet të ndodhë pas qershorit.
“Me rekomandimin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar, reagimet e qeverisë duhet të orientohen fillimisht drejt mbrojtjes së grupeve vulnerabël, shtresave në nevojë, pra pensionistëve dhe familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Çfarëdo lloj mase që të marrim për të ndërhyrë në treg për të përmirësuar situatën do të raportohet me partnerët tanë”, u shpreh Malaj.
Prej dy vitesh, ligji për lejimin e basteve sportive online, ka mbetur në sirtar, në pritje të akteve nënligjore. Ministri i Financave Petrit Malaj tregoi se kur pritet të përfundojë maratona e rikthimit të basteve.
“Kanë mbetur edhe dy akte nënligjore që ne po i bashkërendojmë dhe dakordësojmë me Ministrinë e Drejtësisë dhe, sapo të përfundojë bashkërendimi dhe dakordësimi, do t’i publikojmë ato, në mënyrë që të vijohet me licencimin e operatorëve potencialë për të ofruar në mënyrë të ligjshme pjesën e basteve online”, theksoi ministri.
Ministri i Financave, Petrit Malaj u ndal edhe në plotësimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, DIVA, ku theksoi se janë dorëzuar mbi 164 mijë dhe janë mbi 77 mijë përfitues nga skema e rimbursimit. (A2 Televizion)