Nga përmbytjet, zjarret dhe dëmet në bujqësi, Shqipëria rrezikon të humbasë rreth 15.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo rreth 3.5 miliardë euro deri në vitin 2025. Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor i Bankës Botërore vlerëson se humbjet e Shqipërisë janë më të mëdhatë në Ballkanin Perëndimor.
“Deri dje dihej se ulliri kultivohej në një zonë të caktuar të vendit, por ndryshimet klimatike ka prishur ekuilibrat. Sot bujqësia është ep ara e prekur nga ndryshmet klimatike. Gjithashtu zjarret, përmbytjet dhe energjia janë të tjerë fenomene negative që vijnë nga ndryshimet klimatike”, shprehet Françeska Korançe, eksperte mjedisi.
Për të zbutur efektet e ndryshime klimatike, Banka Botërore përllogariti se Shqipërisë i duhet një shumë prej 6 miliardë dollarësh, nga 9.5 miliardë Serbisë, 6.8 miliardë Bosnje-Hercegovinës apo 6.4 miliardë Maqedonisë së Veriut.
“Këto 6 miliardë euro janë të domosdoshme për t’u përshtatur ndaj klimës. Do vijë një moment ku nuk do të mund të mitigojmë më ndryshimet. Duhet t’i paraprijmë duke u përshtatur”, shton Korançe.
Banka Botërore analizon se investimet në përshtatjen e klimës përforcojnë përfitimet sociale dhe mjedisore, që janë përtej atyre ekonomike ose financiare. Këto përfitime të përbashkëta përfshijnë përmirësime në eficiencën e energjisë, bujqësinë qëndrueshmërinë dhe diversitetin ekologjik.
“Shqipëria më shumë vuan efektet e të tjerëve se sa kontriubon te ndryshimet klimatike. Megjithatë, duke qenë pjesë e një zinxhiri edhe ne kontribuojmë në rregullimin e ekuilibrave të natyrës”, shton ekspertja.
Në raportin e fundit, mbi perspektivën ekonomike të vendeve në zhvillim Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim paralajmëroi se thatësira rrezikon të ngadalësojë rritjen ekonomike të vendit.
Në vitin 2021, qeveria miratoi një Plan të posaçëm për Energjinë dhe Klimën. Në të nxirret në pak nevoja për uljen e ndotjes së gazeve në atmosferë dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. (A2 Televizion)
