FMN rezerva për “paqen fiskale”, ministri i Financave tregon përse u ndryshua formula për pensionet

Nga Marjo Brakaj
14 Nëntor 2025, 16:43 | Ekonomi

“Paqja fiskale”, nisma ligjore që u fal bizneseve mbi 500 milionë euro borxhe të papaguara vlerësohet si “e rrezikshme” nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në konferencën përmbyllëse pas vizitës 2-javore në Shqipëri me qëllim skanimin e ecurisë ekonomike, shefja e misionit Anke Weber kërkoi rishikimin e projektligjit që bën pjesë në paketën fiskale 2026.

“Kemi parë draftin e fundit të paketës, vëmë re që qeveria ka bërë përparim gjatë viteve të fundit në forcimin administrim të të ardhurave në përputhje me këshillat tona. Kemi frikë që disa prej elementëve të projekt propozimit mund të minojnë progresin e Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa risqe për përmbushjen dhe për drejtësinë”, tha Anke Weber, drejtuesja e misionit të FMN-së në Tiranë.

Ministri i Financave Petrit Malaj shpjegoi ndryshimin e formulës... nga bonuse në fund-vit në rritje të përmuajshme të pensioneve.

“Është menduar që e ardhura shtesë që u jepet pensionistëve të jetë në linjë me kontributin që kanë patur pensionistët ndër vite. Ata që kanë kontribuuar më shumë, do marrin të ardhura më shumë, ata që kanë pas kontribut më të ulët do marrin të ardhura më të ulët se grupi tjetër”, tha Malaj.

Ministri i Financave foli edhe mbi fatin e koncesioneve në shëndetësi, afati i të cilave përfundon në vitin 2027. “Nuk kemi kërkesë na ministritë e linjës që do ketë zgjatje të koncesioneve ekzistuese.”

Duke i mbetur besnik misionit të institucionit që drejton, guvernatori Gent Sejko, argumentoi se falë forcimit të lekut, shqiptarët nuk po paguajnë edhe më shtrenjtë për të përditshmen e tyre.

“Në vija të përgjithshme, projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme të përafërta me ato të vitit aktual. Në gjykimin tonë, këto ritme rritjeje do të mundësojnë një shfrytëzim të mirë të burimeve prodhuese të vendit, duke krijuar hapësira për kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2026 dhe stabilizimin e tij rreth nivelit 3% në vitet pasuese”, tha Sejko.

Duke iu bashkuar shqetësimeve të ngritura nga brenda vendit, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga qeveria të punojë për të rikthyer shqiptarët e larguar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos